Vidal nderon Turbinën, bie zyrtarisht Maliqi/ Sinan Bardhi: Të ecim me këtë ritëm; Malësija: Do të luajmë ndershëm deri në fund
Turbina ka fituar minimalisht ndaj një rivali për mbijetesë, duke marrë kështu një trepikësh me shumë vlerë. Cërrikasit edhe pse shënuan vetëm një gol, e dominuan të gjithë takimin.
Jo vetëm kaq, por të besuarit e trajnerit Sinan Bardhi nuk e vunë asnjëherë në rrezik triumfin e merituar. Ka qenë braziliani Vidal, që u ka dhënë fitoren vendësve dhe ka kënaqur tifozërinë e zjarrtë që e kanë duartrokitu.
Sinan Bardhi, trajneri i Turbinës, pas fitores për “Panorama Sport u shpreh: “Morëm një fitore të merituar, edhe pse ishte minimale. Patëm shumë raste për shënim, kështu që duhet ta mbyllnim më shpejt ndeshjen.
Të ecim me këtë ritëm dhe të shohim vetëm punën tonë, nuk kemi punë me kundërshtarët. Skuadra është në formë mjaft të mirë dhe ne do të vazhdojmë të marrim pikët maksimale në takimet e mbetura. Këto të fundit janë vërtet finale dhe ne do t’i vlerësojmë maksimalisht”.
Me humbjen në Cërrik, Maliqi rikthehet sërish në Kategorinë e Dytë. Egli Malësija, trajneri i Maliqit, në prononcimin e dhënë për gazetën pas ndeshjes, premtoi se Maliqi do të luajë ndershëm deri në fund, ndonëse ka rënë.
“Ne kemi rënë nga kategoria, por do të vazhdojmë të luajmë futboll. Pra, do të luajmë ndershëm deri në fund. Kështu që, nuk do të tolerojmë asnjë. Për sa i përket ndeshjes dhamë më të mirën”, u shpreh trajneri i maliqarëve.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"