Vetëm 4 fitore, ecuria e italianit Bordin larg pritshmërive të klubit
Drejtuesit e Elbasanit, me në krye presidentin Kujtim Llupa, i kanë shprehur vazhdimisht mbështetje trajnerit Bordin, por kuptohet që rezultatet larg pritshmërive kanë ndikuar drejtpërdrejt për situatën e italianit. Shifrat flasin qartë dhe janë kundër Bordin, i cili në 16 javë kampionat ka arritur vetëm 4 fitore.
Një mesatare prej 1 fitoreje në 4 ndeshje nuk i përgjigjet objektivit të Elbasanit, që gradualisht rrëshqiti në renditje. Dhe 2 nga këto 4 fitore Elbasani i ka kundër Bylisit, dy skuadrat e tjera që ka mundur janë Teuta dhe Laçi. Nën drejtimin e italianit skuadra verdheblu ka një golaverazh negativ, me 16 gola të shënuar dhe 17 të pësuar.
Edhe pse mungesat kanë qenë një faktor që ka ndikuar në ecurinë e Elbasanit, sërish nuk i justifikojnë rezultatet. Është e qartë se në llogaritë e klubit verdheblu mungojnë pikë dhe për këtë arsye ka ardhur ndryshimi në stol.
Me trajnerin e sapo larguar në krye janë luajtur edhe dy ndeshje të kupës së Shqipërisë, ku elbasanasit kanë fituar 4-0 ndaj Turbinës dhe 3-1 ndaj Ilirisë, dy kundërshtarëve modestë nga Kategoria e Dytë. Trajneri i ri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, kishte marrë 3 fitore në krye të Skënderbeut, që është një ekip më pak i investuar se verdheblutë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"