Verilindorët e kanë si finale ndaj lushnjarëve, por Kukësi ka emergjencë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2025 | 18:11

Verilindorët e kanë si finale ndaj lushnjarëve, por Kukësi ka emergjencë në mbrojtje

Kukësi shpreson menjëherë te rikthimi sa më i shpejt te fitorja, madje që këtë fundjavë, ku do të presin skuadrën e Lushnjës. Blutë nuk e kanë më luksin që të bëjnë hapa fals, sepse përveçse shuhet synimi për të qenë në gjashtëshen e parë, vihet në rrezik serioz edhe mbijetesa.

kukesi

Për këtë arsye, me Lushnjën është si një finale që duhet fituar patjetër. Duket se situata në organikë nuk është ndër më të mirat e mundshme për ekipin e drejtuar nga Alfred Allamani, sidomos sa i përket situatës në prapavijë, aty ku shihet si një emergjencë. Tekniku ka në dispozicion vetëm katër lojtarë, që luajnë në këtë repart: Dragoshi, Selita, Sulçe dhe Lamellari, duke mos i dhënë shumë mundësi zgjedhjeje trajnerit, por i duhet të spostojë lojtarë të tjerë për të mbuluar boshllëqet. Sakaq, është mister mungesa e dy mbrojtësve të tjerë, Ouen dhe Kapllanajt, të cilët për herë të fundit kanë luajtur në finalen e Superkupës përballë Egnatias.

Me fillimin e këtij viti nuk kanë qenë të grumbulluar në skuadër, në një kohë që klubi nuk ka zyrtarizuar ndonjë largim të tyre. Në këtë situatë, këto ditë të fundit të merkatos, blutë do të tentojnë me patjetër të bëjnë ndonjë përforcim në këtë repart, për vetë faktin se mungojnë alternativat. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, me Kukësin që nga ana tjetër kërkon të konsolidojë pozitat në renditje.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"