Vendimi/ Flamurtari i mbetet Idrizit, kryebashkiaku i Vlorës: Janë blerë lojtarë të shtrenjtë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2024 | 8:35

Vendimi/ Flamurtari i mbetet Idrizit, kryebashkiaku i Vlorës: Janë blerë lojtarë të shtrenjtë, por…

Shtyrja e kontratës së Flamurtarit me një vit, ka ndezur dje Këshillin Bashkiak të Vlorës. Për plot 2 orë u debatua ashpër për këtë çështje.

Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës

Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës

Pavarësisht kësaj, me 33 vota pro dhe 3 kundër, këshilltarët bashkiak vendosën që t’ia lënë edhe një vit në administrim klubin kompanive turke të përfaqësuara nga Sinan Idrizi. Në nisje të diskutimit, këshilltari propozues i projektvendimit, Endri Hyseni, foli rreth shtyrjes së administrimit.

“Është një projektvendim që ka ardhur si pasojë e kërkesës së bërë nga administratori aktual dhe nga shoqëritë financuese të klubit për shtyrjen e kontratës. Me iniciativën e një grupi këshilltarësh, prej 5 vetash, sollëm këtë projektvendim për shtyrjen me një vit të kontratës. Kjo është bazuar në ligj dhe në të gjitha vendimet e mëparshme të këshillit. E vetmja gjë që ndryshon, është shtyrja e afatit një vjeçar. Kjo, me argumentin se deri në vitin 2021 duhet të kishte përfunduar procesi i privatizimit sipas ligjit për sportin. Procesi është në fazën e vlerësimit të aseteve të shoqërisë. Në këto kushte dhe për shkak të nisjes së garës sportive 2024-2025, jemi të detyruar t’i hapim rrugë dhe klubit të marrë pjesë në garën që organizohet nga FSHF dhe të presim raportin e vlerësuesit. Me sa kam informacion, muajin që vjen do të kemi raportin e aksioneve të Flamurtarit për të vijuar me procedurën e privatizimit, njësoj si me Orikun. Ftoj këshilltarët dhe ata të opozitës ta mbështesin këtë projektvendim, pasi qytetit nuk mund t’i mungojë afeksioni që ka për sportin. T’i jemi mirënjohës edhe shoqërive financiare për të gjitha shpenzimet në klubin e futbollit Flamurtari”, tha Hyseni.

KRYEBASHKIAKU DREDHA- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ftoi këshilltarët bashkiakë të votonin shtyrjen me një vit të kontratës me Sinan Idrizin, me qëllim që Flamurtari të mos pengohet të regjistrohet nga FSHF për kampionatin që starton nesër.

“Ka diçka… Tani Sokol, për mua primare, po të flas si kryetar bashkie dhe si pjesë e komunitetit vlonjat. Ne duam që skuadra të jetë dhe të vazhdojë, pasi normalisht mbetet e pafederuar. Kjo është edhe gjithë logjika e idesë që kur ka filluar. Duhet të federohet dhe të vazhdojë në normalitet dhe skuadra të marrë pjesë në kampionat. Duhet të fillojë kështu biseda, mendoj unë. Tjetra, sa i përket tetor-nëntor, që përmende, janë teknikalitete dhe procedura që duan kohën e vet. E rëndësishme është që administrata po merret. Tani ne nuk jemi këtu për të premtuar se i kam bërë nja dy-tre premtime të tjera. Unë më parë, qoftë edhe për menaxhimin e fushës së mbetjeve në Sherisht dhe gjithmonë me vullnetin e mirë dhe me dëshirën që të ecë përpara gjithçka, por patjetër që ka edhe procedura ligjore që jo gjithmonë i kemi në dorë. Ne kemi bërë maksimumin. E njëjta gjë edhe në këtë rast. Ne duam që të ecë përpara skuadra, kjo është më e rëndësishmja. Ju mund të thoni gjithçka që mendoni, por që duhet ta shikojmë me këtë lloj logjike. Të eci përpara skuadra, pasi ne nuk mund ta lëmë Flamurtarin pa luajtur, pa marrë pjesë në kampionat. Kjo është dëshira e të gjithëve, pavarësisht se mund të kemi komentet tona, duhet ta shikojmë me këtë vizion. Po t’i futemi asaj logjike, shpenzime aty janë hedhur pa fund, janë blerë lojtarë. Nuk po themi që nuk janë shpenzuar. Është edhe çështje fati pastaj. Në futboll dy skuadra marrin pjesë, njëra fiton, rrallë ndodh që del ndonjë barazim. Vullneti aty është, shpenzimet janë bërë. Me sa lexojmë në gazetë, janë blerë lojtarë të shtrenjtë. Ajo varet, është edhe fat pjesa e trajnerit, varet çfarë trajneri bie. Të gjithë jemi dakord që ta votojmë”, u shpreh kryebashkiaku Dredha para votimit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"