Van Dajk: Nuk kam ende asnjë ofertë rinovimi, me Slotin gjërat po shkojnë mirë
Ende nuk ka asnjë ofertë për një kontratë të re në tryezën e Virxhil van Dajkut, pasi kapiteni i Liverpulit hyri në sezonin e fundit të marrëveshjes së tij me “Reds”-at.
Liverpuli bëri një paraqitje bindëse teksa mundi skuadrën spanjolle të Seviljes 4-1 në “Anfield” të dielën, ku Luis Diaz shënoi një dygolësh ndërsa Diogo Zhota dhe adoleshenti Trei Nioni shënuan gjithashtu, për të bërë katër fitore nga katër ndeshje përpara nisjes së epokës së Arne Slotit në shtëpinë e tij. Ishin minutat e para me trajnerin e ri edhe për Van Dajkun, pasi holandezi u rikthye nga një pushim tre javor pas Kampionatit Evropian.
Dhe mbrojtësi thotë se ende nuk ka lëvizje për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re me klubin. I pyetur për këtë çështje, Van Dajk qeshi për shkak të pyetjes që i bëhej pothuajse çdo javë gjatë sezonit të shkuar dhe tha: “Nuk ka asnjë ndryshim për momentin”. Rinovimi i qendërmbrojtësit është një çështje shqetësuese për Liverpulin dhe drejtorin e ri sportiv, Riçard Hjuxhs, i cili ende nuk ka bërë një blerje në ekipin e parë që kur u bashkua nga Bornmëthi dhe nisi zyrtarisht punën në klubin Mersejsajdit në qershor. Sulmuesi Mohamed Salah dhe mbrojtësi Trent AleksanderArnold, i cili është edhe zëvendës-kapiteni, gjithashtu kanë vetëm 11 muaj të mbetur në kontratat e tyre aktuale. Kjo do të thotë që pa një reagim të shpejtë, tre nga asetet e çmuara të Liverpulit nuk do të jenë në klub në këtë moment të vitit të ardhshëm.
Van Dajku tha në pranverë se donte të shihte se si do të ishin gjërat nën regjimin e ri të trajnerit përpara se të angazhohej për të ardhmen e tij në klub dhe, i pyetur për përshtypjet e tij të para për Slotin, ai tha: “Deri tani mirë. Natyrisht që ne bëjmë shumë punë në terrenin stërvitor: taktik, fizik gjithashtu për t’u përshtatur. Sevilja ishte testi i fundit i madh përpara se të fillojmë me sezonin e vërtetë dhe ndihem sikur jemi gati për këtë. Shpresojmë se mund ta tregojmë edhe këtë, sepse të shkosh në Ipsuiç të shtunën, do të jetë e vështirë. Ne kemi komunikim me njëritjetrin dhe shumë takime taktike ku shohim se çfarë mund të përmirësojmë. Detajet më të imta janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar lojën tonë dhe mendoj se kjo është ajo që ne të gjithë duam. Ne të gjithë duhet ta shfaqim atë dëshirë dhe deri më tani ka shkuar shumë mirë.
I pyetur për atë që ka ndryshuar me Slotin, Van Dajk tha: “Ne fokusohemi shumë në ndërtimin e lojës, ka shumë më shumë përgjegjësi për qendërmbrojtësit tanë me dhe pa top. Por padyshim që edhe mesfushorët tanë janë të rëndësishëm. Dhe unë mendoj se ne përpiqemi të krijojmë modele të caktuara për atë që kundërshtari bën kundër nesh. Unë mendoj se ju mund të shihni në mënyrën se si ne luajmë dhe në momentet që kemi gjatë lojës, ato duken mirë. Natyrisht, ato ende duhet të përshtaten mirë dhe ne ende duhet të jemi fleksibël. Ne u përpoqëm të luanim shkurt, por kur ata shkojnë në markim trup më trup, atëherë duhet të mendoni të luani më shumë në vijën e parë dhe të dytë dhe më pas të vraponi dhe të merrni topin e dytë. Kështu që unë mendoj se ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur në këtë kuptim, por ju mund t’i shihni qartë modelet”. 33-vjeçari tregoi se e lëndoi shumë që humbi gjysmëfinalen e “Euro 2024” kundër Anglisë, kur Oli Uotkins shënoi golin e fitores në minutën e fundit për “Tre Luanët” në Gjermani.
“Kisha tre javë pushime dhe do të thosha që javën e parë përjetova shumë emocione. Ishte një humbje në gjysmëfinale ndaj Anglisë, e cila dhemb shumë dhe më pas padyshim që do të mendoni për të gjithë vitin që keni pasur personalisht dhe gjithashtu Liverpulin. Nga fundi po na mungonte ajo eksperiencë, cilësia, kishte disa lëndime aty-këtu, dhe shumë gjëra që nuk na shkuan, por shpresojmë që të mësojmë nga kjo dhe mund ta marrim me vete këtë sezon dhe të tregojmë qëndrueshmëri në pjesën e fundit të sezonit. Natyrisht unë mendoj se ne duhet të bëjmë disa transferime bazuar në atë se sa do të zgjasë sezoni, por mendoj se ata janë duke punuar në prapaskenë. Unë kam besim të plotë dhe kam besim te klubi se ata do të bëjnë gjënë e duhur dhe do të marrin skuadrën më të mirë të mundshme për të konkurruar në çdo garë”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"