Valbona gjen fitoren e parë, “poker” Tërbunit në miqësore. Trajneri Gega: Kemi goditur me Udo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 14:00

Valbona gjen fitoren e parë, “poker” Tërbunit në miqësore. Trajneri Gega: Kemi goditur me Udo

Dy skuadrat veriore Valbona e Tropojës dhe Tërbuni i Pukës, u ndeshën në një test miqësor, ku tropojanët fituan bindshëm në shifrat 4-0.

valbona terbuni

Tropojanët shfrytëzuan pushimin e kampionatit të Kategorisë së Parë dhe pukjanët në kuadër të përgatitjeve të kampionatit të Kategorisë së Dytë. Ishte një test që u vlejti të dy skuadrave. Tërbuni e nisi shumë mirë sfidën duke dominuar në 10 minutat e para. Pukjanët e nisin në kërkim të golit, ku në minutat 3 dhe 5 Leka dhe Gjini ishin pranë finalizimit. Më pas, është Kovaçi që i vetëm përballë portës godet jashtë. Në të 15-ën, Balla gjuan fort, por topi largohet nga mbrojtja pukjane.

Në të 31-ën kemi një prekje të topit me dorë brenda zonës nga Da Silva, por Gjini shpërdoron penalltinë në favor të Tërbunit. Në të 36-ën Kamilo godet, pret portieri Anxhelos, i cili një minutë më vonë ndal edhe gjuajtjen e Berberit. Një minutë më pas, pukjanët kanë rastin e favorshëm me Kaçubelën, që shumë pranë portës ndalet nga “gardiani” Hoxha. Minuta 40, Valbona kalon në avantazh me Zeqiraj , i cili shënon një gol të bukur nga 20 metra.

Në fraksionin e dytë, të dy trajnerët bëjnë zëvendësime të shumta, ku te tropojanët debutoi goditja e fundit në merkato, irlandezi Robertson Udo. Valbona nuk përmbahet në këtë pjesë teksa shënon 3 gola, me autorë lojtarët e stolit. Fillimisht Vidrica në të 52-tën, shfrytëzon një pasim perfekt të Udos, i cili brenda 10 minutave shënon dopietë. Golin e parë e shënoi në minutën e 62-të, ndërsa të dytin personal dhe të tretin për Valbonën e shënoi në minutën e 72-të. Në shifrat 4-0 për u mbyll testi mes Valbonës dhe Tërbunit.

VALBONA – TËRBUNI 4-0

Golat: Zeqiraj 40’, Vidrica 52’, Udo 62’ 72’

 

Valbona: Hoxha, Lamçe, Mashi, Kovaçi, Zeqiraj, Berberi, Kamilo, Da Silva, Balla, Llanaj, Krasniqi; (U aktivizuan: Marku, Farruku, Doçi, Lala, Alinani, Vidrica, Laval, Jetishi, Udo, Aluku). Trajner: Emiliano Gega

Tërbuni: Anxhelos, Trashani, Adio, Zëre, Laçeja, Arbana, Kaçubela, Emanuel, Xhefri, Leka, Gjini; (U aktivizuan: Tafa, Bizi, Veseli, Baçina, Alillari, Braja, Dermani, Jahja, Eze, Joshua). Trajner: Sinan Bardhi

 

Gjyqtarë: E. Gjini, E. Kume, P. Shyle (Tiranë)

 

Gega: Kemi goditur me Udo

emiljano gega valbona

Emiliano Gega, trajneri i Valbonës, pas ndeshjes u shpreh: “Ishte një test që na shërbeu për të parë lojtarët e afruar së fundmi. Udo po rezulton si goditje në merkato, teksa shënoi edhe dy gola. Ekipi po konsolidohet, por ende na duhet një sforco fizike, që lojtarët nuk e bënë gjatë fazës përgatitore. Mendoj se ekipi është gati për takimin e radhës kundër Erzenit, që do ta zhvillojmë në shtëpinë tonë”.

 

Trajneri Bardhi

Sinan Bardhi, trajneri i Tërbunit, pas ndeshjes tha: “Nuk më intereson shumë rezultati, por nuk po më kënaqin disa lojtarë të përvojës, edhe pse kanë një muaj që kanë nisur stërvitjen. Gjithsesi, ky test me një ekip të fortë na bëri mirë. Pamë nga afër dobësitë, për të cilat do të punojmë në vazhdim. Tërbuni hyn në kampionat me mbështetjen e Bashkisë Pukë, me synimin për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Na duhet shumë punë për të konsoliduar një ekip për këtë qëllim”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"