Valbona befason lushnjarët në “Roza Haxhiu”. Xhafa: Na goditën me dy kundërsulme. Gjoni: Lushnjën e kam pikë të dobët, 10 për ekipin tim
Në stadiumin “Roza Haxhiu”, Valbona debutuese befason të zotët e shtëpisë duke triumfuar 2-0. Tashmë ka nisur “kura” Gjoni, që i jep skuadrës tropojane fitoren pas 6 javësh. Një fitore historike, sepse është e para në transfertë, në Kategorinë e Parë. Ndërsa skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa humbet raste të pastra për gol dhe e pëson dy herë. Me këtë disfatë u zbeh vrulli që morën me trajnerin e ri.
NDESHJA – Takimi nis i qetë në praninë e 100 shikuesve. Me kalimin e minutave, Lushnja shfaqet e rrezikshme para portës së Valbonës. Në minutën e 12-të, kroson Mota, Kaçanolli godet me kokë, por devijon portieri Marku. Minuta 16, Magani kroson nga e djathta, topi i ikën nga duart portierit Marku dhe goditet me kokë nga Kaçanolli, por “sfera” përplaset në traun e portës. Në minutën e 22-të, Valbona jep goditjen me një kundërsulm. Kovaçi depërton bukur nga e djathta, pason saktë për Krasniqin, i cili godet brenda zonës dhe kalon miqtë në avantazh, 1-0 për Valbonën. Lushnja është pranë barazimit në minutën e 35-të. Xherrison Uilli kroson nga e djathta dhe brenda zonës braziliani Mota e gjuan me kokë, por topi përfundon jashtë.
Dy minuta para përfundimit Valbona dyfishon shifrat. Sërish dalin të saktë në kundërsulm. Nga e djathta, Krasniqi pason për Kovaçin, i cili e përcjell topin në rrjetë dhe 2-0 për tropojanët. Trajneri Gjoni nuk lëviz asgjë në startin e së dytës, ndërsa Xhafa hedh në fushë Tabakun dhe Xhabrahimin. Lushnjarët luajnë dendur topin, por nuk sjellin rrezik para portës. Në minutën e 61-të Kovaçi dirithëron vendësit me gjuajtjen e tij. Në të 64-ën, Canka godet me kokë dhe pret portieri Marku. Portën e godasin edhe Olola e Deliaj, por sërish nuk gjendet kuadrati. Lushnjarët bëjnë shumë përpjekje, por nuk kanë saktësi para portës. Minutat ikin dhe asgjë konkrete për lushnjarët që nuk arrijnë të shënojnë për të rihapur ndeshjen. Valbona fiton me meritë, 2-0.
LUSHNJA – VALBONA 0-2
GOLAT: Krasniqi 22’, Kovaçi 43’
LUSHNJA: Alimuçaj, Magani(Deliaj 65’), Hida, Disha, Meta, Joti (Xhemalaj 65’), Uillfred, Mota (Tabaku 46’), Kaçanolli(Xhabrahimi 46’), Canka, Xherrison(Olola 56’); (Në dispozicion: Hoxha, Muça, Januzi, Zhesus). Trajner: Erion Xhafa
VALBONA: Marku, Mashi, Farruku, Lala, Zeqiraj, Aluku, Lamçe(Doçi 76’), Kamilo, Llanaj, Kovaçi (Balla 65’), Krasniqi (Vidrica 70’); (Në dispozicion: F.Hoxha, Alinani, Uesli, Rosaj, Jetishi, Udo). Trajner: Vladimir Gjoni
Kartonë të verdhë: Mota 41’ / Krasniqi 41’, Llanaj 52’, Mashi 84’, Vidrica 84’, Kamilo 86’
Gjyqtarë: A.Merdanaj(Vlorë), B. Mesi(Tiranë), N.Likaj(Vlorë)
Vëzhgues: Emirion Sino(Fier)
Delegat: Genc Misha(Tiranë)
Lushnjarët
Xhafa: Harxhuam energji, na goditën me dy kundërsulme
Erion Xhafa, trajneri i Lushnjës tha se u goditën me dy kundërsulme, ndërsa vetë humbën raste të pastra për gol. “Ndeshja ishte e vështirë. E kisha parashikuar dhe e dija që kundërshtari do të mbrohej me forca të shumta prapa. E filluam pak keq ndeshjen. E filluam nën ritëm, ku qarkullimi i topit ishte i ngadaltë. Kështu që i jepnim kohë kundërshtarit të merrte masa prapa. Duke qenë se dilnim me shumë forca në sulm, atëherë edhe hapësirat për kundërshtarin prapa ishin më të mëdha.
Na goditën me dy kundërsulme. Gjithsesi, para këtyre, kishim 3-4 raste të pastra për gol. Futbolli është i tillë. Nëse nuk shënon e pëson. Kështu na ndodhi sot(dje), pasi kemi bërë një volum të madh loje në qarkullim topi, në dyluftime, të cilat na bënë të harxhojmë shumë energji. Shto këtu edhe ndeshjen e së enjtes me Flamurtarin, e cila sigurisht na mori energji mentale, por edhe fizike që i paguam sot(dje) në këtë ndeshje”, u shpreh trajneri Xhafa për “Panorama Sport”.
Vladimir Gjoni
“Lushnjën e kam pikë të dobët, 10 për ekipin tim”
Rikthimi i Vladimir Gjonit në krye të pankinës së skuadrës tropojanë po rezulton i goditur, pasi ekipi ka ndezur motorët për mbijetesën. Vladimir Gjoni, trajneri i Valbonës, pas suksesit në Roza Haxhiu” për “Panorama Sport” u shpreh: “E para, është kënaqësi që vij në Lushnjë. Sinqerisht, kam pasur dëshirë edhe ta drejtoj këtë ekip. Kam luajtur këtu, kam pasur kënaqësi edhe ta drejtoj Lushnjën sepse e kam dobësi, e kam pikë të dobët. Kishim ardhur të përgatitur për ndeshjen, për mënyrën se si duhej luajtur.
Pata fatin edhe ta shoh Lushnjën në ndeshjen me Flamurtarin. Aty fitova më shumë besim se si duhet të gjej pikat e dobëta të Lushnjës. Besoj që jemi në rrugë të mbarë. Pak ditë kam që e kam marrë drejtimin e Valbonës, por jam shumë i kënaqur. Janë djem që kanë pasion dhe që të kuptojnë. E rëndësishme është që ata të kuptojnë çfarë unë interpretoj për sportistët në fushën e lojës. Sot(dje) ishte dita më e bukur. Të gjithëve i vendos notën 10, për sa i përket detyrave”.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"