Uniforma e Bavarisë, Kejn: Pantallona të tmerrshme
“Shpëtimtar”, termi i duhur për të përkufi zuar aventurën e Herri Kejnit pas tri javësh pas kalimit te Bajern Mynihu. “Pyka” angleze, jo vetëm ka demonstruar gjithë “arsenalin” rreth konkretizimit të rasteve në fazën ofensive, e cila tregoi probleme të mëdha gjatë sezonit të shkuar te rekordmenët, por edhe ka rikthyer frymën pozitive.
Përgjatë ditës së djeshme klubi bavarez ka pozuar me veshjen tradicionale të rajonit, e njohur ndryshe si “Lederozen” (pantallonat e lëkurës), aty ku përveç këtij kostumi identifikues, grupi është evidentuar edhe me birrën “Paulaner”, e cila është mbështetëse zyrtare e rekordmenëve të Gjermanisë në evenimente me natyre të tillë.
Përpos tablosë në fjalë, Herrit nuk i munguan as ngacmimet e gazetarëve, duke marrë ndjesitë e para të kryeshënuesit anglez pas ceremonisë: “Deri në këtë pikë më ka pëlqyer gjithçka në Mynih. Njerëzit janë të mrekullueshëm, ambienti shumë pozitiv dhe i qetë. Megjithatë, kjo nuk vlen në rastin e pantallonave tradicionale. Janë të tmerrshme, na rrinë shumë ngushtë”. Më tej Kejn nuk la pa përmendur edhe shpresat e tij dhe tifozërisë në Ligën e Kampionëve:
“Ka disa ekipe që gëzojnë kontingjent të shëndetshëm dhe mund të vështrohen pa problem si favoritë. Megjithatë, objektivi ynë mbetet i njëjtë, triumfi. Është fakt se grupi i ka të gjitha kartat për t’i shkuar deri në fund rrugëtimit.
Gjithsesi, kemi ende kohë për t’i analizuar me detaje kundërshtarët, sipas raundeve”, përfundoi autori i 3 golave dhe 1 asisti në radhët e Bajernit. Pas sukseseve me Verder Bremenin dhe Augsburgun, kampionët do të udhëtojnë ditën e shtunë në transfertën e Borusia Mynshengladbahut, me qëllim ruajtjen e trendit pozitiv dhe po në të njëjtën linjë Kejni të tundë rrjetën rivale.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"