Ulrish trondit: Kam marrë shumë kokainë, uiskin e pija… si ujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 23:23

Ulrish trondit: Kam marrë shumë kokainë, uiskin e pija… si ujë

Në prag të dokumentarit që do të publikohet në nëntor në “Prime Video”, Jan Ulrish ka rrëfyer detaje interesante mbi jetën dhe karrierën e tij. Legjenda gjermane e çiklizmit, fitues i Turit të Francës 1997, ka folur gjithashtu edhe për akuzat për doping.

jan ulrish

“Jam ndier shumë keq. Kam përdorur shumë kokainë dhe kam pirë uiski sikur të ishte ujë, duke i shkuar shumë pranë vdekjes”, rrëfen Ulrish në serialin kushtuar jetës së tij. Ish-kampioni gjerman i çiklizmit, e nis fort që nga “trailer”-i, në dokumentarin me katër episode, të titulluar “The Hunted”, që do të shfaqet në “Prime Video” pas disa muajsh. “Njëzet vjet më vonë ju i njihni gabimet që keni bërë”, thotë fituesi i Turit të Francës 1997 dhe i Vueltës së Spanjës 1999, gjithashtu medalist i artë edhe në Lojërat Olimpike “Sydney 2000”.

Në këtë serial gjithashtu ka hapësirë edhe për akuza për doping që e përfshijnë gjermanin, me pezullimin e tij përpara Turit të Francës 2006, për përfshirjen e Ulrish në “Operacion Puerto”, temë për të cilën 49-vjeçari thotë se “nuk kam tradhtuar askënd”.

RËNIA – Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv e skualifikoi Ulrishin për dy vjet në vitin 2012 dhe i mohoi atij fitoren e përgjithshme në Turin e Zvicrës 2006, si dhe fitoret e arritura në Xhiron e Italisë 2006, në Turin e Gjermanisë 2005 dhe Turin e Zvicrës 2005 dhe 2006. Mes viteve 2010 dhe 2020 Ulrish kishte disa probleme me ligjin për shkak të abuzimit me alkoolin dhe drogën.

Miqtë, duke përfshirë ish-rivalin e madh Lans Armstrong, e ndihmuan atë në kohën e tij më të vështirë. Pas një rikthimi në fund të vitit 2021, Ulrish lëshoi deklarata tronditëse: “I shpëtova përsëri vdekjes”. Më pas, ish-çiklisti iu nënshtrua trajtimit dhe terapisë për të dalë nga varësia, dhe tani është kthyer të jetojë në Merdingen në BadenVurtemberg në Gjermani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"