UIMBËLLDON / Novak Xhokoviç kap finalen, tallje publikut që i bëri tifozllëk kundër
Novak Xhokoviç është vetëm një ndeshje larg tashmë rekordit të Roxher Federerit. Tenisti serb, falë suksesit në gjysmëfinale kundër talentit italian, Janik Siner, ka arritur që të sigurojë finalen e Uimbëlldonit, kur të dielën do të mundohet që të fitojë për herë të tetë këtë “Slam” dhe të barazojë legjendën zvicerane të raketës.
Edhe pse mes eksperiencës së të dyve kishte vite dritë, në fund nuk është se ishte aq e lehtë, madje vetë parashikimi i Novak Xhokoviçit përballë 21-vjeçarit Siner ishte i saktë, duke qenë se me përjashtim të setit të parë, të fituar 6-3, dy të tjerët ishin beteja shumë të fortë, ndonëse në fund ballkanasi triumfoi 3-0 (7-4 dhe 7-6 ishin shifrat e setit të dytë e të tretë).
Mundi edhe publikun – Ajo që ra në sy në gjysmëfinalen e djeshme të Uimbëlldonit, ishte simpatia e publikut vendës për italianin Siner, ose ndoshta edhe një urrejtje e lindur ndaj Xhokoviçit, që pas çështjes së mashtrimit të tij për vaksinën false të COVID. Gjatë të gjithë lojës, tifozët anglezë mbështetën numrin 5 të renditjes botërore, Janik Siner, edhe pse ky i fundit nuk arriti asnjëherë që të provojë të ndryshojë fatin e fundit të sfidës.
Xhokoviç padyshim që nuk e priti mirë një gjest të tillë dhe në një farë pike të ndeshjes, ai iu drejtua njërës prej tribunave që bënte më fort tifozllëk kundër tij dhe i provokoi tifozët, duke i bërë shenjën se duhet të nisnin të qanin, për humbjen e Sinerit. Dhe në fund rezultoi siç e paralajmëroi edhe ironikisht numri 2 i renditjes botërore, ndonëse në fund me rivalin italian pati vetëm përqafime dhe komplimente për duelin.
Kujtojmë që edhe në sezonin e kaluar, Siner u eliminua sërish nga Novak Xhokoviç, por në atë rast, në çerekfinale, pasi Xhokoviç përmbysi dy setet e fituara të italianit. Ndërkohë, në finalen e madhe serbin e pret Karlos Alkaraz, që mundi 3-0 me sete Danil Medvede.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"