U turpërua nga Luzi në shtëpi, Burreli i jep dorën trajnerit Dorjan Bubeqi. Matjanët vazhdojnë me timonier të ri
Humbja 5-1 në shtëpi ndaj Luzi 2008 ka shkaktuar termet te skuadra e Burrelit. Nga 1-0 për matjanët ka ardhur përmbysja e çmendur nga skuadra e Luzit, disfatë e cila në Burrel kishte 54 vite që nuk përjetohej një turpërim i tillë. Humbja ka ngjallur dyshime në kampin matjan dhe menjëherë pas ndeshjes drejtuesit paralajmëruan se ajo që ndodhi të shtunën në “Liri Ballabani” do të analizohej me imtësi, ku u paralajmëruan edhe masa ndëshkimore nga gjoba deri në përjashtime.
Dita e sotme është pasuar me zhvillime te Burreli, i cili për momentin ka mbetur pa trajner. Dorjan Bubeqi nuk do të jetë më “timonieri” i ekipit matjan, pasi palët kanë ndarë rrugët. Lajmin e ka bërë vetë klubi në rrjetet sociale, ku trajnerit kavajas i uron sukses dhe e falënderon për punën që ka bërë te Burreli.
“Falënderojmë trajnerin për të gjithë kontributin e dhënë deri tani. Ndahemi duke i dhënë dorën miqësisht njëri-tjetrit me respekt të plotë nga të dy palët. Urime dhe suksese në rrugëtimin në vazhdim”. Ky është njoftimi i matjanëve në lidhje me “divorcin” me trajnerin Dorjan Bubeqi.
Mbetet për të parë se kush do të jetë pasardhësi i trajnerit kavajas te Burreli. Me gjasa, ashtu siç është vepruar edhe në të shkuarën në kushte emergjence, drejtimi i ekipit i kalon trajnerit vendas, Renato Hoti.
Gjithsesi, në vazhdim pritet të tjera zhvillime në kampin matjan, ku përveç trajnerit të ri pritet të mësohen edhe masat ndëshkimore ndaj lojtarëve.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"