“U sulmua anësori”, shpërthen trajneri i Turbinës: Edhe tifozët hodhën sende të forta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2023 | 13:50

“U sulmua anësori”, shpërthen trajneri i Turbinës: Edhe tifozët hodhën sende të forta…

Turbina nuk e mbylli dot ndeshjen në Pukë. Në të 92-ën minutë gjithçka u ndërpre, pasi u godit anësori Xhulio Mani nga lojtarët vendës dhe nga tifozët pukjanë me sende të forta. Këtë variant e konfirmon edhe trajneri Alfred Allamani në një prononcim për “Panorama Sport”. Ai e quan të patolerueshme këtë incident dhe mundohet që të shpjegojë atë që vërtet ndodhi.

allamani

“Shkuam në Pukë për të luajtur futboll dhe e dominuam kundërshtarin. Krijuam një volum të madh loje dhe raste të shumta. Lojtarët vendës bashkë me stafin gjatë gjithë ndeshjes i bënin presion arbitrave, duke i ofenduar dhe sharë. Kulmi arriti në minutën e 92-të, kur u anulua me të drejtë goli i Tërbunit. Ishte pozicion jashtë loje dhe dukshëm. Të gjithë lojtarët vendës bashkë me stolit shkuan tek anësori dhe e goditën. Edhe tifozët vendës goditën me sende të forta anësorin.

U krijua një rrëmujë e madhe, madje dhe ndaj pankinës tonë u hodhën lumë gurësh duke na rrezikuar jetën. Arbitri pasi pa që kolegu i tij u godit, vendosi të largohej me asistentët e tij, për të mos e vazhduar më takimin.

Këto sjellje të vendësve i prishin bukurinë futbollit, pasi goditjet ndaj anësorit ishin të patolerueshme. Ne do të presim Komisionin e Disiplinës, që do të na japë ne atë që na takon. Për sa i përket ndeshjes ishte një takim i fortë, ku ne shpërdoruam mbi gjashtë raste të pastra. E dominuam ndeshjen, sidomos në pjesën e dytë, ku rastet i kishim të shumta”, përfundoi Allamani.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"