U kthye pas dy vitesh tek Apolonia, por nuk ka pritje “të ngrohtë” për Kananajn
Në Fier të gjithë kërkojnë kthesën e rezultateve. Çdo javë që kalon, dhe skuadra nuk rikthehet te fitorja, rrit së tepërmi presionin në një kohë që fitorja e fundit daton që nga 8 nëntori, kur mposhtën pastër Vorën pretendente me rezultatin 2-0 me gola të sulmuesve Maksuti dhe Umejiego.
Ajo ishte dhe fitorja e parë ndaj pretendentëve për t’u ngjitur në Superiore, që si për ironi të fatit është pasuar me dy humbje radhazi. Rezultate zhgënjyese këto, që zbritën Apoloninë nga gjashtëshja e parë, në një kohë që pretendonte që së paku të kapte “playoff”–in, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë. Ndaj Lushnjës bëhen fiks një muaj pa shijuar tri pikët dhe për këtë arsye, në klub shpresojnë që kjo ecuri të marrë fund pikërisht në këtë derbi, kur dihet rëndësia e tij. Vlen për t’u theksuar që në sfidën e parë të luajtur në “Loni Papuçiu”, Lushnja arriti të merrte tri pikët. Nisur edhe nga humbja e fundit në shtëpi, fierakët nuk mjaftohen me një barazim në këtë transfertë, duke tentuar të marrin fitoren, si shenjë hakmarrje dhe natyrisht të nisin ngjitjen në renditje.
Pësimi dhe Kananaj
Fierakët kanë pësuar plot 17 gola deri më tani në 14 javë, çka tregon se pësimi i golave është kthyer në një fenomen shqetësues, por që shpresohet të rregullohet në ndeshjet në vijim. Përveç optimizmit fierak për të marrë fitoren në Lushnjë, nuk duhen të harrojnë as hallet e përjavshme me dëmtimet, por të paktën shpresohet që të rikuperohen dy shtyllat e skuadrës, mesfushori i qendrës Jasin Rajab dhe mesfushorin tjetër me tipare sulmuese Abjel Bejzade. I pari la fushën e lojës i dëmtuar ndaj Kukësit, ndërsa i dyti mungoi për shkak të gripit. Po bëhen përpjekjet maksimale që të paktën kjo dyshe të jetë e gatshme, sepse shihen si shumë të rëndësishëm për skemat dhe lojën e teknikut Pajaziti.
Nga ana tjetër, u rikthye me bujë në shtëpi, por po ngroh stolin Altin Kananajn. Mesfushori polivalent erdhi në ditët e fundit të merkatos së verës, por nuk po aktivizohet nga trajneri Sedat Pajaziti. Interesimit të gazetës nëse mesfushori ka ndonjë dëmtim, vetë lojtari thotë jo. Mesa duket nuk është në zgjedhjet e trajnerit Pajaziti. 23-vjeçari u rikthye në shtëpi pas 2 vitesh, por duket se nuk ishte një pritje “e ngrohtë”. Sezoni i fundit që Kananaj luajti me Apoloninë ishte ai 2021-2022. Dy sezonet e kaluara ishte pjesë e Lushnjës. Ndërsa më herët ai ka pasur një eksperiencë me Tomorin, po në Kategorinë e Parë.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"