Turbina mund Besën në miqësore, Faslliu: Ekipin do ta bëjë si Barcelona dhe Liverpuli
Në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut, dje u luajt miqësorja midis Turbinës dhe Besës. Skuadra vendëse, nën drejtimin e trajnerit Faslliu, ka triumfuar në këtë test në shifrat 3-1. Turbina e ka dominuar sfidën që është zhvilluar mjaft e fortë.
Të dy trajnerët, në fillim të ndeshjes hodhën në fushë formacionet më të mira, ndërkohë që në 45 minutat e dyta kanë aktivizuat lojtarët e stolit. Turbina ka shënuar golin e parë thuajse në fund të fraksionit të parë, pas disa rasteve të njëpasnjëshme.
Mbrojtësi Ngjela tregohet i saktë në minutën e 43- të dhe dërgon topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Besa ka barazuar me Kukën në të 58-ën, i cili përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes cërrikase.
Loja ka vijuar më tej e fortë, me vendësit në kërkim të golit të dytë. Por, kjo që do të finalizohet vetëm në minutën e 85-të, ku mbrojtësi Shehi me kokë tregohet i saktë.
Në minutën e 90-të, ka qenë nigeriani Frenki që brenda në zonë shënon me qetësi. Kështu, në Cërrik mbyllet gjithçka me fitoren e vendësve 3- 1.
Blerjet e reja të Turbinës kanë bindur në këtë miqësore. Për t’u theksuar është fakti, se vetëm kapiteni Zaimi ishte nga lojtarët e sezonit të kaluar, pjesa tjetër e futbollistëve ishin djem të rinj.
Trajneri i Turbinës, Adriatik Faslliu, i emocionuar, pas ndeshjes, për “Panorama Sport” u shpreh: “Do ta bëj Turbinën si Barcelona dhe Liverpuli”.
Ndërsa trajneri i Besës Gugash Magani, pas miqësores për gazetën deklaroi: “Ishte një takim miqësor që më shërbeu për të provuar lojtarët. Në këtë test u paraqitëm me disa mungesa”.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"