TriumfI do të bënte që kavajasit të parakalonin Luzin. Bubeqi: Fitorja, e vetmja alternativë për Besën
Për Besën le të themi se kampionati fillon nga sfida me Luzin. Kjo pasi në kampin verdhezi nuk prisnin ndonjë surprizë në 3 takimet e para të fazës ndaj kryesuesve të Bylisit, Elbasanit e Vorës. Sfida me Luzin vlen më shumë se sa një fitore, pasi luznjakët me 21 pikë renditen në klasifikim sipër Besës me vetëm 19 të tilla krahas Tomorit.
Për trajnerin Dorjan Bubeqi fitorja mbetet alternativa e vetme, pasi edhe një barazim do ta linte Besën përsëri në vendin e parafundit. “Kur pranova të marr drejtimin e Besës në këtë situatë, e dija që nuk do ta kem aspak të lehtë. Në 3 takimet e para të kësaj faze u ndeshëm me 3 kryesuesit, e sikur të mos mjaftonte ecuria e tyre u ndëshkuam edhe nga mungesat e shumta. Për fat të keq ato po na ndjekin edhe sot. Tre prej tyre Spahiu, Kapo e portieri Bici nuk janë të gatshëm.
Por gara nuk pyet e as nuk pret të rikthehen të dëmtuarit, ndaj jemi të detyruar të kërkojmë pikë me këta futbollistë që kemi. Luzi është një kundërshtar që sidomos javët e fundit ka bërë mirë duke fituar me Bylisin e Tomorin në Berat. Ua kam bërë të qartë lojtarëve, se Luzi mbetet ndër ekipet më të rrezikshme falë moshës së re e dëshirës së madhe që kanë për lojë. Një Besë që di të durojë deri në minutën e 90-të, që shfrytëzon në maksimum rastet e saj, duhet të jenë bazat e suksesit tonë”.
Ndërkohë që fakti që ky derbi i vogël ndërmjet Luzit e Besës luhet në stadiumin e Luzit dëshmon edhe anën tjetër të medaljes, atë se Besa pa stadium duhet të luajë në Luz. Për Bubeqin afërsia me Luzin do mbushë tribunat dhe ai kërkon para së gjithash fair-play në fushë e tribuna. “Do të jetë një tifoizëri kavajase e ndarë në dysh mes Luzit e Besës.
Ata luznjakë u rritën duke parë Besën tani kanë krenarinë e tyre Luzin. Unë uroj e kërkoj që në tribuna e fushë të dominojë fair-play pasi jemi një familje dhe Luzi. Le të fitojë kush ta meritojë e t’i shtrëngojmë dorën njëri – tjetrit si vëllezër. Futbolli zgjat 90 minuta, por Luzi e Kavaja janë aty ndër shekuj bashkë.
BESA
Formacioni i mundshëm:
Në portë: Ahmetaj;
Në mbrojtje: Perja, Ramilli, Nurja, Balim;
Në mesfushë: Balla, Emini, Ncube, Dabo;
Në sulm: Shurdhiqi, Ba;
Trajner: Dorjan Bubeqi
SKEMA: 4-4-2
LUZI 2008
Formacioni i mundshëm:
Në portë: Mati;
Në mbrojtje: Zaimaj, Xhika, Hidri, Gjinaj;
Në mesfushë: Koka, Lahio, Qoshku, Çucça;
Në sulm: Treni, Mandela;
Trajner: Gëzim Bushi
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"