Tri skuadra të elitës interesohen për ish-portierin e verilindorëve, Tafas: Kukësit i jam mirënjohës
Anxhelo Tafas i dha fund aventurës me Kukësin pas katër sezonesh në Kategorinë Superiore. Në sezonin e tij të fundit, ai ishte pika kryesore dhe për më tepër kapiten i skuadrës, por pa mundur dot që t’ia dalë të sigurojë mbijetesën.
Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 23-vjeçari nuk preferon të ndalet gjatë te faktorët që bënë të mundur mosqëndrimin e Kukësit në elitë, që pas 12 vitesh rikthehen në Kategorinë e Parë. Ai largohet mes falënderimesh me ata që bashkëpunoi dhe i dhanë mundësitë të tregojë vlerat e tij në futbollin shqiptar. “Në lidhje me rënien nga kategoria, kanë qenë shumë faktorë këtë vit në shumë aspekte. Unë personalisht jam ndier mirë nga dita e parë që kam ardhur te Kukësi, jam ndier shumë komod në këtë klub. Këtë e them si në aspektin njerëzor, por edhe atë futbollistik. Di të them që do të jem gjithnjë mirënjohës për këtë klub, tifozët e saj dhe familjen Gjici. Uroj të rikthehen sa më parë në Superiore”, u shpreh fillimisht ish–kapiteni i verilindorëve, që nga sezoni i ardhshëm nuk do të jetë më pjesë e tyre, por do të nisë një aventurë të re.
E ARDHMJA -Në vijim të fjalës së tij, gardiani ndalet paksa edhe tek e ardhmja, duke e lënë atë enigmë. Ka zëra se për Tafajn janë të interesuara 3 klube të Superiores, Dinamo, Elbasani dhe Teuta. Ndoshta brenda dy javëve të ardhshme mund të mësohet edhe skuadra e re, pasi edhe ai vetë nuk e di atë. “Të them të drejtën nuk e kam vendosur akoma se ku do të vazhdoj karrierën time. Aktualisht jam në bisedime dhe besoj se brenda dy javëve të ardhshme do ta mësoj se ku do të luaj”, theksoi ish–portieri i ekipit Shpresa. Ambiciet e Tafasit janë të mëdha.
Tani që spikati në futbollin shqiptar dhe me një eksperiencë jo të vogël mbi supe, edhe pse në moshë të re, synimi është për të vijuar jashtë vendit. “Kuptohet që çdo futbollist synon një kampionat më të fortë jashtë dhe me ambicie. Synimet janë për të shkuar sa më lart, por siç e thashë edhe më parë, për aq kohë sa nuk kam vendosur gjë, është diçka që mbetet për t’u parë në ditët në vijim”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Anxhelo Tafas. Në katër sezone në Superiore me blutë, ai luajti plot në 103 takime, por për fat të keq përkoi me momentin më të vështirë të skuadrës, pasi gjatë kësaj periudhe mbahet mend vetëm finalja e Kupës së këtij sezoni, kur edhe u mundën nga ekipi i Egnatias.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"