Tri përforcime të rëndësishme për bluzinjtë e Luftëtarit, Radovani: Erdha për golat
Përforcohet Luftëtari. Pasi i iku nga duart Diogo da Silva (firmosi te Valbona, ndonëse u stërvit në Gjirokastër disa ditë), klubi është hedhur sërish në merkato. Dhe nuk kanë marrë një, por tri përforcime. I pari është mesfushori nga Guinea, Isiago Kamara.
Nuk është emër i panjohur, pasi sezonin e fundit luajti tek Albpetroli dhe më herët është aktivizuar te Luzi 2008, Besa, Besëlidhja, Dinamo, Erzeni, Iliria dhe Përmeti. I dyti vjen nga Lushnja dhe jemi duke folur për Melis Haxhiun, që do t’i bëjë vërtetë punë ekipit në mesfushë. I treti është qendërsulmuesi Anxhelo Radovani, që vjet luajti për Besën.
Që grupi të jetë “top”, janë planifikuar edhe dy goditje të fundit. Një portier dhe një mesfushor me tipare ofensive. I lumtur për arritjen e marrëveshjes shfaqet shkodrani Anxhelo Radovani. Gjatë deklaratës së parë të dhënë si lojtari i bluzinjve, ai, për “Panorama Sport”, thotë:
“Nuk mund të refuzoja ftesën e Luftëtarit. Kam ditë që stërvitem dhe shoh që ekipi ka brumë. I kemi të gjitha mundësitë për t’u ngjitur. Aftësitë e mia do t’i vendos që të gjitha në shërbim të ekipit dhe si sulmues që jam, e di nga duhet të bëj gola”, përfundoi 22-vjeçari.
TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"