Tre ditë stërvitje me Kombëtaren, mbrojtësi që aktivizohet në Kategorinë e Parë tërheq vëmendjen e Silvinjos
Në historinë e pas viteve 2000 në ekipin kombëtar, kanë qenë dy mbrojtës të majtë shumë të mirë si Altin Haxhi dhe më vonë Ansi Agolli. Pas tërheqjes së ishkapitenit, në krahun e majtë u spostua Lenjani dhe disa ndeshje Lorenc Trashi i cili luajti goxha takime me Edi Rejën.
Në fundin e epokës së tij, një mbrojtës si Mario Mitaj u shfaq në skenë dhe tashmë e kemi parë të gjithë se çfarë potenciali ka. Silvinjo i besoi atij vendin e titullarit dhe mbrojtësi e ka justifikuar më së miri. Por, alternativa e tij për momentin është Andi Hadroj dhe disa grumbullime Naser Aliji. Hadroj është një mbrojtës i djathtë dhe normalisht që nuk mund t’i marrësh më të mirën majtas.
Për këtë, Silvinjo duket se ka menduar dhe gjetur një zëvendësues për Mitajn kur të jetë nevoja. Bëhet fjalë për Segersio Gecin, i cili ka qenë i pranishëm në 3 seancat që Kombëtarja ka zhvilluar.
Gjatë stërvitjes së djeshme, mbrojtësi ka lënë një shije të mirë te stafi teknik, i cili ka biseduar vetëm me të pas mbylljes së seancës. Silvinjo e ka përgëzuar për atë që lojtari i Vorës ka dhënë dhe pritet të shihet nëse trajneri brazilian do ta grumbullojë edhe më vonë. Geci, 23 vjeç, ka qenë më parë edhe pjesë e Korabit dhe Laçit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"