Trajneri shpjegon dorëheqjen nga ekipi, Bespalla: Pikët nuk erdhën, i hap rrugën kujtdo që ngre Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 19:51

Trajneri shpjegon dorëheqjen nga ekipi, Bespalla: Pikët nuk erdhën, i hap rrugën kujtdo që ngre Erzenin

Asnjë pikë dhe vetëm dy gola të shënuar në humbjen me Kastriotin, mjaftuan që trajneri i Erzenit Justin Bespalla të jepte dorëheqjen. 

justin bespalla

Këtë largim ai e shoqëroi me disa fjalë: “I uroj suksese dhe vetëm suksese Erzenit. Kur e mora këtë mision për të drejtuar Erzenin e dija që do ishte tepër e vështirë dhe nuk e kam marrë për asnjë përfitim as vetjak dhe as familjar, e mora ekipin që Erzeni t’u përfaqësonte në kampionat dhe mos ta pësonte si volejbolli. Kur mora Erzenin sakrifikova veten time, sakrifikova familjen, por mbi të gjitha sakrifikova mbiemrin tim, që me shumë mund e kemi ngritur, me shumë djersë dhe sakrifica që nga babai im, i ndjeri Niko Bespalla.

Duke vazhduar edhe unë mbrapa, vetëm e vetëm që Erzeni të kishte ecuri dhe suksese. Tifozët duhet te jenë të vetëdijshëm që ky ekip u mblodh një javë para kampionatit dhe normalisht që do të kishte vështirësi të mëdha në rrugëtimin e tij në kampionat. Jam munduar të fus në ekip mentalitet fituesi dhe këto lojtarë të zhvillojnë futboll të bukur, por gjendja e klasifikimit nuk na lejonte lojëra të bukura, por na duheshin pikë dhe kjo gjë nuk erdhi. Ky ekip me djem të rinj nuk është që nuk ka prodhuar ndeshje të mira, por mungesa e eksperiencës na ka dëmtuar, prandaj duke qenë para këtij fakti, i hap rrugën kujtdo që mendon se e nxjerr Erzenin nga kjo situatë.

Një falënderim mjaft të madh nga zemra kam për tifozët e mrekullueshëm të Erzenit dhe u them se unë do jem gjithmonë pranë ekipit me ndihmesat e mia, si me ekipet zinxhirë, si edhe me lojtarë. Një falënderim kam për njeriun e vetëm që sakrifikon familjen e tij për ecurinë e Erzenit, Durim Keçin. Por shumë vetë duhet ta dinë që ekipit çdokush nga ne duhet t’i dalë në krah kur është në gjendje të vështirë, se kur është mirë të gjithë e lakmojnë, por ky është fati dhe futbolli bashkë. Iki me dhimbje dhe me shumë pengje. Mirupafshim Erzen, do të takohemi përsëri!”, shkruan Bespalla.

ALBERT ALIKO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"