Trajneri Mema merr “frenat” e Pogradecit: Ndërprerja më ndihmon, shpresoj te nisja e mbarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2024 | 13:15

Trajneri Mema merr “frenat” e Pogradecit: Ndërprerja më ndihmon, shpresoj te nisja e mbarë

Ardian Mema, edhe zyrtarisht, është trajneri i ri i Pogradecit. Në seancën e së martës, drejtuesit e klubit pogradecar kanë prezantuar, ish-futbollistin bardheblu, Ardian Mema, i cili ka marrë “frenat” e skuadrës liqenore për edicionin 2024-2025.

ARDIAN MEMA POGRADECI

Seanca e parë stërvitore, nën drejtimin e trajnerit të ri ka zgjatur rreth 120 minuta. “Tani është zyrtare, pasi mora detyrën e trajnerit të Pogradecit. Ambienti ishte mjaft mikpritës. Zhvilluam seancën e parë stërvitore dhe në ditët në vazhdim, në bazë të një programit, futbollistët do të marrin ngarkesën e zakonshme stërvitore”, shprehet fillimisht  për “Panorama Sport”, numri një i pankinës pogradecare, Ardian Mema. Ndërprerja e kampionatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare do t’i shërbejë trajnerit të ri për të parë nga afër gjendjen e skuadrës.

“Ndërprerja e kampionatit më ndihmon për të parë nga afër gjendjen e skuadrës dhe koha nga dita kur do të kemi takimin e parë zyrtar, është e mjaftueshme për të krijuar një ide për skuadrën. Shpresoj që ta nisë mbarë dhe si ekip të realizojmë objektivat që ka klubi”, thotë mes të tjerash trajneri i ri i Pogradecit. Është thënë edhe më herët, se këtë vit liqenorët synojnë zonën “play off”. Në fundjavë Pogradeci do të luajë një miqësore përballë Skënderbeut në transfertë.

Ndeshja ndaj korçarëve do t’i shërbejë jo vetëm skuadrës për të ruajtur ritmin e kampionatit, por edhe trajnerit të ri që të jetë gati për debutimin zyrtar. Përballja e parë zyrtare për Memën në krye të pankinës së Pogradecit do të jetë më 20 nëntor në turin e dytë të Kupës, ku i pret transferta e Kukësit. Ndërsa në kampionat, Pogradeci do të presë Lushnjën në “Gjorgji Kyçyku”.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"