Trajneri Luga: Ndeshje delikate me Valbonën, ja ngërçi që po kalon Erzeni në këtë sezon
Pas humbjes minimale në transfertë me Flamurtarin kryesues, trajneri Ergys Luga ka nisur punën me shpresën që Erzeni do ta gjejë të shtunën fitoren e parë në kampionat, ku në “Tofik Jashari presin Valbonën.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Luga flet për situatën e ekipit, ndeshjen me Valbonën, si dhe merkaton e janarit.
Bilanci i Erzenit në 14 javë kampionat është negativ, ku dihet se keni marrë vetëm 2 pikë dhe shënuar 3 gola…
Ne nuk kemi qenë aq të lehtë për t’u mundur. Unë si trajner nuk dua ta shikoj fare klasifikimin. Ua kam thënë dhe ua përsëris lojtarëve, që me cilësitë që kanë nuk e meritojnë këtë renditje. Kalendari ka qenë pak në disfavorin tonë. Gjithashtu, ngërçet financiare që kemi pasur, na kanë ulur bonusin moral, por sinjal i mirë është se po zgjidhen. Ne vazhdojmë kampionatin pa parë renditjen. Përpara kemi një ndeshje të rëndësishme ku do të kërkojmë një trepikësh për frymëmarrje të thellë.
Çfarë mund të përmirësojë skuadra për te dalë nga kjo gjendje, pasi edhe ju keni një periudhë të shkurtër në drejtim?
Me zhbllokimin e merkatos, urojmë të bëjmë dy ndërhyrje aty ku kemi nevojë nga ana teknike dhe të vazhdojmë me kurajë dhe vendosmëri.
Si e shikoni sfidën me Valbonën dhe në ç‘gjendje ndodhet Erzeni?
Me Valbonën është ndeshje delikate, sepse të dy skuadrat kërkojmë pikë për vazhdimësi. E njohim si kundërshtar, sepse luajtëm në Kupë, por kampionati ka dinamikë dhe objektiv tjetër. Gjendja e skuadrës është në rregull për momentin. Kemi titullarë të dëmtuar, por do të hedhim në fushë atë ekip që unë dhe stafi im mendojmë se do t’ia dalë.
Si është nga ana shëndetësore Keslin Shani, që u dëmtua në Vlorë?
Shani është në gjendje të stabilizuar dhe është gati për t’u rikthyer në stërvitje pas gjithë asaj goditje që mori në Vlorë.
A është Valbona prova e së vërtetës për skuadrën e Erzenit?
Valbona është më lart në klasifikim, por konsiderohet si kundërshtar direkt mbi ne. Jo vetëm Valbona, por çdo ekip është provë maturie për Erzenin. Kemi zhvilluar ndeshje ku në mbrojtje kemi qenë në nivel të mirë dhe nuk kemi qenë kundërshtar i thjeshtë për t’u mundur as nga pretendentët, si Flamurtari dhe Vora. Kjo nuk mjafton, ndaj duhet diçka më shumë për të fituar ndeshjen.
ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL