Trajneri i Vorës analizon fitoren, Bellai: Të përsëritim veten edhe kundër Flamurtarit
Vora e ka nisur mbarë sezonin, 6 pikë në dy ndeshjet e para. Pas fitores 1-0 në start me Apoloninë, vorakët të shtunën mposhtën Kukësin. Skuadrës së trajnerit Bellai i kanë mjaftuar 6 minuta për të likuiduar verilindorët.
Nigeriani Evans Aneni zhbllokoi shifrat në të 52-ën dhe lituanezi Manfredas Ruzgis dyfishoi në të 58-ën. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Arian Bellai foli për ndeshjen e fundit, gjendjen e skuadrës, si dhe për pjesën në vazhdim.
Trajner, fitorja mund të ishte edhe më e thellë?
Nuk më intereson shumë rezultati, sesa puna që ne bëjmë te kjo skuadër. Për detyrat që ne parashtrojmë dhe sesa reflekton skuadra në zbatimin e tyre apo te lojtarët që luajnë në fushë. Deri tani, jam mjaft i kënaqur nga skuadra, e cila në dy ndeshje radhazi ka marrë dy fitore. Ne duhet të jemi më këmbë në tokë, pasi është vetëm fillimi e të gjitha ekipet do të na e vështirësojnë ecurinë tonë. Duhet të jemi të duruar dhe të bëjmë më mirë. Të mos marrim goditje, të japim sa më shumë nga vetja.
Me përforcimet e fundit, Vora duket më e kompletuar. Jeni dakord?
Mendoj se po. Këtu të gjithë të japin maksimumin. Jo vetëm ata që janë në fushën e lojës, por edhe ata që janë në stol të mbështetin skuadrën. Kështu, dhe vetëm kështu, ne do të arrijmë qëllimin tonë që kemi si objektiv. Siç e thashë, mbaroi dhe ndeshja e dytë. Ne përsëri do të punojmë akoma më fort dhe akoma më mirë, për t’u përgatitur në ndeshjen e ardhshme kundër Flamurtarit.
Çfarë mund të ndryshohet në ndeshjen e ardhshme nga ana taktike?
Nuk ka taktikë që mund të ndryshojë ekipi. Vetëm rritja e shpirtit të sakrificës, luftimet, dyluftimet dhe zemra që japin në fushë, besoj se ato “mbytin” çdo lloj taktike.
Abdulla Dushku-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"