Trajneri i Shkumbinit analizon klubin, Bano: Të kufizuar në merkato, por nuk u trembem sfidave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 16:14

Trajneri i Shkumbinit analizon klubin, Bano: Të kufizuar në merkato, por nuk u trembem sfidave

Artan Bano njihet si një trajner që nuk u trembet sfidave, sado të vështira të jenë ato. E mori Shkumbinin në një moment delikat dhe në kohë rekord i dha jetë projektit për Kategorinë e Parë.

bano

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpjegon arsyet që e bindën të pranonte këtë rol dhe planet që ka për ndërtimin e ekipit.

“Kur më telefonuan drejtuesit, sinqerisht nuk e dija cila ishte situata në klub. Megjithatë, për mua ishte një vlerësim. Të them të drejtën, fillimi ishte pak i vështirë, pasi duhej ndërtuar skuadra thuajse nga e para. Shumë lojtarë ishin larguar dhe të tjerë ishin të pavendosur për të ardhmen e tyre. Megjithatë, së bashku me drejtuesit arritëm të hedhim themelet e skuadrës, që do të përfaqësohet sezonin e ri dhe çdo ditë mundoheshim të bindnim edhe futbollistë të tjerë për t’iu bashkuar ekipit të Shkumbinit.

Çdo trajner dëshiron më të mirën e mundshme në merkato dhe kur ka shumë para, është më e lehtë që të afrosh lojtarë në çdo repart. Por kjo ishte një sfidë më vete në klubin peqinas, sepse për momentin shpenzimet për merkaton janë të kufizuara. Megjithatë, ne jemi duke bërë maksimumin për të afruar lojtarë punëtorë, që duan të tregojnë vlerat e tyre dhe të rriten profesionalisht pasi Kategoria e Parë ka një nivel futbolli të lartë. Dua të them se Shkumbinin e kam për zemër, ndaj dhe punoj me dëshirë. Sikurse e thashë edhe më lart, nuk u trembem sfidave”, përfundoi lushnjari.

FATMIR AHMETI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"