Trajneri i Laçit elozhe Flamurtarit, Cungu: I lumtur që shpëtuam sezonin, vlonjatët më befasuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2024 | 11:40

Trajneri i Laçit elozhe Flamurtarit, Cungu: I lumtur që shpëtuam sezonin, vlonjatët më befasuan

Në drejtimin e Armando Cungu, Laçi arriti të mbijetojë në fund në Superiore, pas 120 minutash lojë mposhtën Flamurtarin në shifrat 3-1. Trajneri i skuadrës kurbinase, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “MCN” nuk e fshehu gëzimin e shpëtimit të sezonit, por komplimentoi edhe kundërshtarin, që sipas tij Flamurtari e befasoi dhe e meriton të jetë në elitë.

cungu

“Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur, pasi momenti kur erdha ishte shumë i vështirë te Laçi. Isha i vetëdijshëm për problematikat që do të ndodhnin rrugës, aq më tepër kur shkon në një ndeshje teke ku varen fatet e gjithë sezonit. Nuk ishte lehtë kjo gjë, por sfida të tilla kam kaluar më përpara edhe me Vllazninë. Jam i kënaqur me kontributin e lojtarëve në këtë periudhë që unë kam qenë në krye të skuadrës. Për ironi të fatit në fazën e fundit që kam ardhur te Laçi kemi pësuar vetëm një humbje. Rritja e djemve u reflektua edhe sot (dje).

Duhet kuptuar edhe ndonjë problematikë gjatë lojës, pasiguria apo ndonjë stepje e ekipit tonë sepse presioni e stresi nuk është i vogël në një situatë të tillë kur luhet gjithë sezoni. Kjo ka ndikuar te djemtë, por mendoj se e dominuam lojën. Përjetimet kanë qenë shumë të forta, pasi lumturia për çdo trajner, lojtar apo tifoz, kur fitohet diçka e tillë është. Por në situata të tilla gjithçka është shumë më e vështirë, sepse është për të ardhur keq për Laçin të zbriste një kategori më poshtë. Prej disa vitesh Laçi është një nga ato ekipet që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar, pjesëmarrëse sistematike në Europë dhe kalime turesh. Komplimentet kam edhe për Flamurtarin, që realisht nuk e prisja të tillë, duke iu referuar dy ndeshjeve të zhvilluara nga vlonjatët në ‘play off’ kundër Korabit dhe Apolonisë.

Nga një Flamurtar i përgjumur, sot pashë një Flamurtar komplet ndryshe, i denjë për të qenë në Superiore. Futbolli i tillë është me dy ekipe, ku njëri do të ngelë në klasë. I kam menduar edhe shtesa e penalltitë në këtë takim, pasi nuk ka shumë diferencë dhe në fund të fundit kur është ndeshje teke nuk flitet për favoritë. Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka, aq më shumë që nuk kishte kaluar as 10 ditë, ku në Korçë në minutën e 97-të ndëshkohemi me një penallti që na futi në këtë telash. I tillë është futbolli dhe duhet ta pranojmë sido që të vijë. Fati është dytësor, por puna e djemve dhe sakrifica e tyre në fushën e lojës bëri që të kalojmë me sukses”, përfundoi trajneri Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"