Trajneri i Kukësit analizon humbjen me Apoloninë, Çela: Ekipi ka mangësi fizike, duhet të reagojmë
Emiljano Çela e nisi me humbje aventurën e tij në skuadrën e Kukësit. Blutë u mundën në shtëpi 1 – 2 nga Apolonia e Fierit. Gjithsesi, në daljen e tij para mediave pas ndeshjes, Çela theksoi se i pëlqeu shpirti i garës që tregoi skuadra, ku me rastet që patën, ashtu si e humbën edhe mund ta kishin fituar ndeshjen.
“Nga shpirti i garës dhe nga ajo çka lojtarët dhanë nga ana e karakterit, jam i kënaqur. Kjo ishte ndeshja ime e parë dhe u mundova të rregulloja diçka në stërvitjen e vetme me Kukësin. Ajo që i vura më shumë theksin, ishte të rregulloja pozicionet natyrale të disa lojtarëve. Në përgjithësi jam i kënaqur, mora sinjale të mira. Ishte një ndeshje që ashtu siç e humbëm edhe mund ta fitonim, pasi patëm edhe ne rastet dhe episodet tona”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit. Sa i përket problemeve, ai evidentoi anën fizike, ku kërkoi shumë punë për ta sjellë ekipin aty ku duhet.
“Patjetër që kemi mangësi në zhvillimin e lojës, por ajo që vërejta më shumë ishin problemet në përgatitjen fizike. Ekipi është shumë mangët në këtë aspekt. Thjesht na duhet një punë shumë e madhe që të paktën ta sjellim ekipin në linjat dhe ekuilibrat e duhur”, mbylli prononcimin e tij Emiljano Çela. Ndeshjen e radhës Kukësi do ta luajë sërish në shtëpi dhe kësaj here do të presë Flamurtarin. Plani i Kukësit është që skuadra të grumbullojë sa më shumë pikë deri në fund të dhjetorit. Kjo do të thotë që drejtuesit duan që të jenë sa më afër me pikë. Pra të mos rrezikojnë shkëputjen me pjesën tjetër të skuadrave dhe të mos jenë në fund të tabelës së klasifikimit të Kategorisë së Parë.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"