Trajneri i Ilirisë, Agim Canaj: Na ndëshkoi portieri dhe gjyqtari anësor te goli i dytë
Trajneri i Ilirisë, Agim Canaj, u shpreh i dëshpëruar për humbjen në ndeshjen kualifikuese kundër Lushnjës, ku synon ngjitjen në të Parën. Tekniku 61-vjeçar u shpreh se ekipi i tij luajti më mirë, por nuk u tregua i saktë para portës.
Canaj theksoi se arbitri anësorë gaboi te rasti i golit të dytë, pasi sipas tij, nuk ishte në vijë të drejtë me aksionin.
Canaj, një ndeshje që pati ritëm dhe tension, por Iliria nuk ia doli të mposhte Lushnjën. Çfarë nuk shkoi në këtë sfidë?
Nuk kam çfarë të them për lojtarët e mi, pasi dhanë gjithçka kishin. Tentuan deri në fund, por nuk ia dolëm pasi nuk u treguam të saktë para porte. Krijuam disa raste të pastra duke dominuar Lushnjën, e cila në dy raste na ndëshkoi. Si në disa ndeshje këtë sezon, portieri ka qenë pika jonë e dobët, gaboi sërish te goli i parë. Aty na u desh të ndryshonim strategji, pasi u ndëshkuam në fillim të sfidës nga një gol i evitueshëm. Ekipi mori frenat e lojës në dorë dhe tentoi disa herë, por edhe fati nuk ishte me ne. Nuk e prisja këtë paraqitje dinjitoze nga Iliria edhe pse kemi luajtur shpesh, por lojtarët vrapuan dhe luftuan përgjatë 90 minutave.
Në fund kontestuat shumë ndaj arbitrimit, ku nuk mungoi tensioni edhe mes lojtarëve, çfarë ndodhi?
Goli i dytë i Lushnjës duhet anuluar, pasi ishte pozicion jashtë loje. Arbitri Koçiaj nuk ishte në linjë me lojtarët për ta parë qartë atë episod. Normalisht, mosha e tij nuk i jep mundësinë të vrapojë për të qenë korrekt, por edhe ne që kemi 1 vit që punojmë dhe na dhimbset mundi ynë. Lojtarët janë njerëz me gjak dhe i kuptoj për sjelljen e tyre, edhe pse duhet të ishim më të qetë.
Do të vijoni të qëndroni te Iliria?
Unë nuk kam pasur një kontratë me presidentin, por një marrëdhënie xhentëlmenësh, pasi njihemi prej dekadash. Do të analizojmë këtë duel dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë për të ardhmen. Iliria është një ekip me kualitet dhe që me pak ndryshime do të jetë gati për të tentuar e sigurt Kategorinë e Parë.
ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"