Trajneri i Fullhemit zbulon prapaskenat me Brojën: Jam unë përgjegjës pse erdhi, nuk dua të flas për të ardhmen e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 17:39

Trajneri i Fullhemit zbulon prapaskenat me Brojën: Jam unë përgjegjës pse erdhi, nuk dua të flas për të ardhmen e tij

Transferimi i Armando Brojës te Fullhem u duk si një zgjidhje ideale për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Ai pritej të kishte më shumë minuta te klubi tjetër londinez se sa te Çelsi dhe do të kishte kohën e duhur që të gjente formën më të mirë në një klub të cilit i nevojitej një qendërsulmues.

broja

Por që me transferimin e tij në ditën e fundit të merkatos së dimrit, aktivizimi i Brojës ka qenë me pikatore, pasi trajneri Marko Silva, ka aktivizuar rregullisht Rodrigo Muniz, i cili ka shënuar me një rregullsi të admirueshme në këto muaj. Kjo ka bërë që Broja të përfundojë në stol apo tribunë, duke kufizuar ndjeshëm minutazhin e tij. Vetë trajneri Marko Silva, ka shpjeguar për “Standard Sport” se ka qenë ai që donte me çdo kusht Brojën në ekip.

“Ka qenë një situatë e vështirë për të dhe e vështirë për mua gjithashtu. Unë isha përgjegjësi kryesor i pranisë së tij në këtë klub futbolli. Unë shtyva shumë që të vinte këtu. Dua të them që ne verën e kaluar, unë u mundova që të firmosnim me të, kur shitëm Mitroviç. Ai është një lojtar që unë vlerësoj shumë. Ai ka të gjithë aftësitë që të luajë në nivelet më të larta.

Në ndeshjet e fundit ne kemi pasur të gatshëm të gjithë lojtarët. Për shembull, Isa Diop, ka qenë një lojtar i formacionit titullar shumë herë këtë sezon dhe në tre ndeshjet e fundit ai ishte jashtë ekipit gjithashtu. Askush nuk flet për këtë, pasi ai nuk është një lojtar i Çelsit.

Ka qenë më e vështirë për Armandon, me ambicien që ka për të luajtur. Kur ti huazohesh në ditët e fundit të merkatos, pret që lojtari të vijë dhe të ketë një impakt. Por kur ke një sulmues që shënon gola ashtu siç ka bërë Muniz, nuk i jep shanse të tjerëve.

Tani ka konkurrencë mes tre sulmuesve. Unë nis ndeshjen me një sulmues, një tjetër në stol. Në futboll gjithçka ndodh shumë shpejt. Ne kemi dy shembuj shumë të mirë pikërisht për këtë pozicion. Raul Gimenez kaloi 16 muaj pa shënuar gol. Edhe Rodrigo, në dy muaj, të gjitha pyetjet janë rreth tij”, tha Marko Silva.

Ai më pas refuzoi të fliste rreth të ardhmes së Brojës, nëse Fullhem do të përpiqej ta blinte në merkaton e verës apo jo. “Unë nuk do të flas rreth të ardhme së Armandos. Ai nuk është futbollisti ynë dhe gjërat nuk varen vetëm nga ne”, tha trajneri portugez i Fullhemit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"