Trajneri i Erzenit, Ergys Luga: Duam pikë në transfertë, Burreli nuk na bën përshtypje
Transferta e radhës me matjanët do të jetë “malore” për shijakasit, por ata do të luftojnë që të marrin maksimumin e mundshëm në fushë për të përmirësuar situatën në renditje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, tekniku Ergys Luka flet për kualifikimin në Kupë, barazimin e marrë ndaj Besës, gjendjen e skuadrës si dhe vështirësinë e takimit të radhës në Burrel.
Barazimi me kryesuesen e kampionatit, Besën, ju lehtësoi emocionalisht, edhe pse ishte takimi i parë për ju në kampionat. Ç’mund të thoni për këtë?
Ka qenë një barazim që na dha një pikë të rëndësishme, duke pasur parasysh se përballë kishim skuadrën e Besës, që ka investuar shumë këtë sezon dhe ka objektiv elitën. Skuadra jonë vinte në këtë takim pas barazimit në transfertë me Lushnjën dhe kishim vetëm 1 pikë në renditje. Ishim në presion nga mungesa e rezultateve dhe kjo na bënte që të kërkonim edhe më shumë. Guxuam, por fati nuk ishte me ne.
Pas këtij barazimi, a është më i qetë ekipi?
Po, është më i qetë dhe po punon për të arritur rezultate pozitive. Jemi përqendruar për të bërë mirë në këtë ndeshje të radhës. Ekipi ka punuar mirë dhe kjo është e rëndësishme. Për ne është shumë e rëndësishme të kemi një skuadër të kompletuar dhe mbi të gjitha të karikuar në maksimum për çdo ndeshje. Në takimin e luajtur kundër Besës kishit një mungesë të rëndësishme, mesfushorin me tipare sulmuese Angjelo Radovani… Ishte një mungesë e rëndësishme, duke u nisur nga cilësitë e këtij futbollisti. Unë jam vënë në dijeni para ndeshjes. Kam kontaktuar me futbollistin dhe ai më tha se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kështu që, mendova ta lija pushim edhe pse skuadra kishte nevojë për kontributin e tij.
Kanë mbetur edhe tri takimet e fundit në mbyllje të fazës së parë, dy i keni në transfertë me Burrelin dhe Apoloninë. Çfarë prisni nga këto ndeshje?
Unë bashkë me stafin kemi përpiluar një program të detajuar dhe të miratuar, që do t’ia paraqesim edhe skuadrës për t’ia bërë të qartë për tre sfidat që kemi përpara. Do të kërkohet karikimi i skuadrës dhe nuk do të pranohet asnjë mungesë në seancën stërvitore. Vetëm kështu do të arrijmë që të marrim rezultate pozitive. Grupin e lojtarëve do ta kem të plotë dhe unë besoj shumë te ta. Nuk i trembem asnjë skuadre, pasi të gjitha një nivel kanë.
Si e parashikoni takimin e radhës në transfertë me Burrelin?
Ne jemi një skuadër me cilësi, pavarësisht se për momentin ndodhemi në fund të tabelës. Nuk e meritojmë atë pozicion. Gjithsesi, objektivi ynë për çdo ndeshje është të marrim rezultate pozitive dhe largimin nga zona e ftohtë. Kampionati është i gjatë dhe ne i kemi të gjitha mundësitë për këtë. Lidhur me takimin e radhës në transfertë me Burrelin, do të jetë një përballje e vështirë për ne. Kundërshtarin po kalon momente të mira dhe ka rezultate. Është i renditur në mesin e tabelës. Kjo për ne pak rëndësi ka. Na duhen pikët për të ngjitur shkallët e renditjes.
ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"