Trajneri Droboniku: Ekipi më kënaq në këto momente, merkato e dimrit mbetet një proces i hapur te Tomori
Te Tomori janë të kënaqur me ekipin. Pasi kanë zhvilluar miqësoren e parë me Naftëtarin në shtëpi, duke analizuar paraqitjen e skuadrës që drejton, trajneri Iken Droboniku ka vlerësuar me nota pozitive paraqitjen e të besuarve të tij.
Ai nuk anashkalon edhe pretendimet që ka për përmirësimin e mëtejshëm, ku sipas tij, Tomori është mjaft i ngarkuar në këtë periudhë për shkak të zhvillimit të minifazës. Ndaj, deri diku ishte e justifikuar edhe mungesa e freskisë fizike, që është konstatuar gjatë miqësores. Krahas kësaj, trajneri i Tomorit ka folur edhe për merkaton e dimrit, duke u ndalur te paraqitja e futbollistëve të ardhur në provë. Sipas tij, të gjithë, pa përjashtim, do t’u duhet të fitojnë besimin e tij vetëm nëpërmjet paraqitjeve me nivel të lartë gjatë ndeshjeve miqësore. Aty ata duhet të tregojnë bagazhin e tyre më të mirë të mundshëm.
“Jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, ndonëse për shkak të zhvillimit të minifazës nuk jemi në kondicionin tonë maksimal. Megjithatë, besoj se pas kësaj jave do të ulim ngarkesën dhe do të fitojmë freskinë fizike. Merkato është një proces i hapur te Tomori. Unë mirëpres këdo futbollist që mbart cilësi dhe ka dëshirë që të kontribuoj dhe të jetë pjesë e historisë së skuadrës sonë”, deklaroi për “Panorama Sport”, trajneri i Tomorit, Iken Droboniku.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"