Trajneri De la Fuente ka krijuar një Spanjë pa varësi, “Furia e kuqe” ofron garanci edhe pa yjet në përbërje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 10:16

Trajneri De la Fuente ka krijuar një Spanjë pa varësi, “Furia e kuqe” ofron garanci edhe pa yjet në përbërje

Me Rodrin, apo pa Rodrin, me Karvahalin, apo pa mbrojtësin e Realit të Madridit, me Niko Uilliams dhe Jamal, apo pa ta, Spanja e Luis de la Fuentes vazhdon të fitojë, duke i bindur të gjithë dhe duke tërhequr edhe më shumë tifozë rreth vetes, siç rrëfeu vetë trajneri në fund të ndeshjes ndaj Serbisë.spanja“Po rikuperojmë frymën e vitit 2010”, ai që e çoi Spanjën në dominimin e futbollit botëror. Ndeshja kundër Serbisë dëshmoi, përveç besimit të Luis de la Fuente në vendimet e tij dhe në mënyrën e tij për të shprehur atë që ndjen, se të luash në shumë mënyra dhe pa krijuar varësi nga asnjë lojtar, është diçka më shumë se një mesazh i thjeshtë. Ishte evidente ndaj Serbisë me një njëmbëdhjetëshe që përfundoi ndeshjen me vetëm Laporte dhe Kukurejën mes titullarëve që ishin në finalen e Berlinit dhe me katër lojtarë që nuk ishin në “Euro 2024” si Pedro Porro, Brian Saragoza, Kubarsi dhe Aleiks Garsia.

“Unë i njoh shumë mirë lojtarët. Jam i habitur që këta futbollistë të befasojnë. Duket se për shkak se nuk janë në skuadra të cilat nuk kanë rëndësinë e të tjerëve. E di performancën që ofrojnë me pak a shumë emër, sepse ata nuk dështojnë. Ne po luajmë me siguri. Ata e kanë marrë mesazhin shumë shpejt, kjo e bën gjithçka më të lehtë”, tha trajneri në një fjalim të përsëritur, por që përshtatet me realitetin.

30 GJUAJTJE NË PORTË – Pas asaj që u shfaq në Gjermani, ishte shumë e vështirë të shihje një Spanjë pa Lamin Jamal dhe Niko Uilliams në përbërjen e saj titullarë. Debati ishte aty, por nëse dikush nuk e ushqente, ishte vetë trajneri. Kthesë e re në stilin e ndeshjes së katërt të Ligës së Kombeve pa praninë e dy anësorëve të Barcelonës dhe Bilbaos të dëmtuar. Në vend të tyre Aleks Baena dhe Mikel Ojarzabal ishin të detyruar të bënin “krahët” e Spanjës. Rezultati ishte pozitiv, i konfirmuar edhe nga shifrat dhe dominimi i plotë i “La Roja”-s. “Ka pasur një ndryshim në karakteristikat e lojtarëve, ne i kemi zënë krahët në një mënyrë tjetër. Jemi fokusuar shumë, por këtë herë me mbrojtësit e krahut nuk na duhej aq shumë thellësi. Baena dhe Ojarzabal na dhanë të tjera epërsi ndaj rivalit”, sqaroi trajneri De la Fuente. Ka një nuancë në këtë ndryshim të sistemit, jo filozofi. “Ne nuk e ndryshojmë idenë, ne jemi gjithmonë besnikë. Por një lojtar që vrapon 100 metra në 11 sekonda nuk është i njëjtë me një tjetër që futet nga brenda dhe ka një goditje të mirë. Kjo na bën më të paparashikueshëm, jemi më të zhdërvjellët dhe futbollistët ofrojnë mundësi të tjera”. Dhe e vërteta është se kampionët e Europës dominuan plotësisht, duke gjuajtur deri në 30 herë në portë. “Spanja është në një dimension tjetër”, tha trajneri serb. Me një lojtar apo një tjetër, e vërteta është se skuadra është e njohur në gjithçka që bën.

PA LOJTARËT E GJIGANTËVE – Nuk është aspak e zakonshme, aq sa për të gjetur një formacion titullar të Spanjës pa praninë e asnjë lojtari nga tre skuadrat e mëdha, dy gjigantët e Madridit, Reali e Atletiko dhe Barcelona. Për të gjetur një formacion titullar pa asnjë lojtar nga “Big 3”, duhet të ktheheni në Lojërat Olimpike Verore në vitin 1928. Në Kordobë, të martën në mbrëmje, ishte hera e katërt që ndodhi në të gjithë historinë. Është një ekip plural, në të cilin një nga meritat kryesore është izolimi nga gjithçka përreth dhe në bipolarizimin Real-Barcelona që është kaq i pranishëm. Në njëmbëdhjetëshen startuese kundër Serbisë, skuadrat më të përfaqësuara ishin Sociedadi dhe Arsenali me nga dy lojtarë (Raja dhe Merino nga njëra anë dhe Zubimendi e Ojarzabal nga ana tjetër). Më pas ishin Totenhemi (Porro), Bilbao (Vivian), AlNasr (Laporte), Çelsi (Kukureja), PSG (Fabian Tuiz), Milan (Morata) dhe Baena (Vijarreal). Të shohësh është të besosh. De la Fuente e quan futbollistin që ai beson si më të mirin, pavarësisht nga skuadra që përfaqëson. “Ndihem i emocionuar kur shoh një reagim si ai i Kordobës dhe ai i Mursias, që ishin mbresëlënëse. Jam krenar për këtë skuadër dhe për këta djem, që përfaqësojnë Spanjën”, tha De la Fuente.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"