Trajneri bluzi pranon mangësitë kundër Delvinës. Shabani: Luftëtari ka rival vetveten në Kategorinë e Dytë
Trajneri i Luftëtarit, Besmir Shabani, pasi analizoi fitoren ndaj Delvinës, pranoi se në pjesën e parë skuadra nuk ishte e motivuar siç duhet, por ndryshoi shumë në pjesën e dytë. Luftëtari vazhdon të kryesojë në Grupin B me dy dhe tri pikë më shumë nga ndjekëset më të afërta, Orikumi dhe Devolli.
Me këtë të fundit luan javën e ardhshme dhe një javë më vonë do të presë Orikun në Gjirokastër. Janë dy takimet që përcaktojnë shumë të ardhmen e Luftëtarit dhe nëse merr pikët maksimale, në vazhdim do ta ketë më të lehtë në realizimin e objektivit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. I pyetur nëse këto dy ekipe janë rivale, trajneri Besmir Shabani, për “Panorama Sport” u shpreh: “Rivalë në këtë kampionat kemi vetveten”. Kjo nënkupton se mundësitë e skuadrës janë, por futbollistët duhet të japin në fushë maksimumin e tyre dhe të futen në lojë me mentalitet fitues.
Nisur nga përbërja e ekipit, ku shumica e futbollistëve janë të një viti më parë, por edhe përforcimet e kryera, Luftëtari duhet të fillojë shkëputjen në klasifikim që në fazën e parë. Kjo gjë realizohet nëse merren pikët maksimale në 3 ndeshjet e fundit të kësaj faze, ndaj Devollit, Orikut dhe Shkumbinit. Ndaj Delvinës munguan disa titullarë si, Ramadani, Vucaj dhe pjesërisht Glauber. Në këtë takim stoli tregoi se nuk ka diferenca nga titullarët, duke i dhënë mundësinë skuadrës që të përballojë çdo rival direkt.
GËZIM BEQIRI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"