Trajneri Bespalla: Erzeni ecën përpara me këta djem të rinj
Trajneri Justin Bespalla e nis me humbje aventurën e tij te skuadra e Erzenit, edhe pse përballë Kukësit zhvilluan paraqitje pozitive dhe me pak fat mund të dilnin me pikë.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku i shijakasve poho, se skuadra e tij prodhoi raste shënimi, por futbolli është lojë episodesh, nga i cili edhe u ndëshkuan. Megjithatë, ai ka besim se me kalimin e javëve skuadra do të shkojë aty ku duhet dhe do të vijnë edhe rezultatet pozitive. “Në përgjithësi nuk ishte një ndeshje që duhej humbur, duke pasur shumë raste shënimi. Njëkohësisht, të dyja ekipet nuk ishin në gjendjen e tyre optimale, sepse përgatitjet i kanë filluar vonë.
Mund të them se me ndeshjen jam i kënaqur. Futbolli është edhe lojë episodesh dhe kush është më i saktë, ai fiton. Ne kishim disa raste shënimi, por nuk kishim fatin me vete. Besoj se në ndeshjet në vazhdim do të luajmë më mirë, do të kemi freski fizike më të mira dhe them se këta djem do të ecin përpara”, mbylli prononcimin e tij tekniku i Erzenit, Justin Bespalla. Ndeshjen e radhës shijakasit do ta luajnë në shtëpinë e tyre përballë ekipit të Flamurtarit, i cili gjithashtu vjen pas një humbjeje në shtëpi me Burrelin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"