Trajneri beratas beson te kthesa, anashkalon largimin e Kokalarit nga pankina e Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 19:31

Trajneri beratas beson te kthesa, anashkalon largimin e Kokalarit nga pankina e Tomorit

Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Shkumbinit në transfertë, nga kampi i skuadrës së Tomorit kanë dhënë sinjale shprese. Beratasit këmbëngulin te mundësitë e hapura, për të qenë në garë deri në fund për vendin e parë.

iken droboniku tomori

Kjo, sipas deklaratës më të fundit të trajnerit Iken Droboniku, që do të mbështetet në dy faktor të rëndësishëm. Gara e gjatë dhe gabimet e mundshme të rivalëve pritet t’i japin oksigjen shpresave të Tomorit. “Sigurisht, humbja e fundit në shtëpi me Orikun ka rezultuar si një zhgënjim i madh. Jo vetëm për tifozërinë tonë, që është shumë e ndjeshme dhe pranë skuadrës, por më së shumti edhe për ne si staf teknik dhe lojtarët. Aktualisht ekipi po punon me qetësi dhe me bindjen për të reflektuar sa më shpejt. Të gjithë kemi besim, se ndeshja e radhës me Shkumbinin do të jetë një rast i mirë për të fituar dhe të harrojmë sa më shpejt humbjen me Orikun.

Ne jemi në garë deri në fund dhe kemi besim, pasi kampionati është i gjatë. Shpresojmë edhe te ndonjë gabim i mundshëm i skuadrave rivale dhe kryesuese, kështu që Tomori do të rigjejë shumë shpejt veten dhe do të luajmë për të rikuperuar pikët e humbura”, u shpreh trajneri Droboniku. I pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me largimin e zv.trajnerit Robert Kokalari, trajneri Droboniku nuk preferojë që të prononcohet për këtë temë.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"