Trajneri Agostineli: Mora ide nga humbja, objektivi i Flamurtarit arrihet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2024 | 11:45

Trajneri Agostineli: Mora ide nga humbja, objektivi i Flamurtarit arrihet

Flamurtari e nisi me humbje  sezonin e ri, ku në shtëpi u mundën nga Burreli në shifrat 2-1. Edhe pse u mund në debutim, trajner Andrea Agostineli i qëndron fortë asaj që tha përpara sfidës me Burrelin, që nuk i fshihet objektivit dhe se ka ardhur në Vlorë për Flamurtarin e Superiores.

Agostineli

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, italiani thekson se futbollistët duhet të luajnë me më shumë ide, me mendje dhe sa më thjeshtë. Agostineli mendon se ekipi do të përmirësohet për Erzenin. Trajneri i vlonjatëve e shikon Kategorinë e Parë si një kampionat fizik dhe që nuk duhet asnjë nënvlerësim.

Debutuat me humbje si trajner i Flamurtarit, a jeni i dëshpëruar?

Bëmë gabime shumë të rënda, që na kushtuan. Për fat të mirë kjo ishte vetëm ndeshja e parë dhe tani na duhet të shikojmë përpara. Të jem i sinqertë, nuk e prisja këtë nisje të kampionatit. Normalisht që jam i mërzitur dhe nuk jam i kënaqur nga loja që realizuan futbollistët, por kemi kohën e nevojshme për të rikuperuar.
Si do ta përmblidhnit shkurtimisht kronologjinë e kësaj ndeshje?

Në pjesën e parë patëm 4 raste për gol. Ata një dhe shënuan. Burreli zhvilloi ndeshjen që duhet të bënte. Po ta shikoni mirë takimin, ata ishin të gjithë në mbrojtje, ndërsa ne në sulm gjatë gjithë ndeshjes.
Kjo nisje jo e mirë, ndryshon gjë në objektivin madhor që Flamurtari ka këtë sezon, ngjitjen në Superiore?

Unë e përsëris, sado që humbëm, nuk jemi jashtë objektivit. Unë nuk ndryshoj mendim për objektivin tonë. Shpresoj që kjo humbje të na bëjë mirë. Jemi në fillim dhe e pranojmë atë që ndodhi, nuk kemi çfarë të bëjmë. Futbolli kështu është, kur humbet je keq, kur fiton je mirë.
Duket se ky kampionat nuk do të jetë aspak i lehtë apo jo?

Ne e dimë që ky është një kampionat fizik. Kategoria e Parë, një

kampionat ku nuk duhet të lëshojmë asnjëherë. Është një kampionat i veçantë dhe që të surprizon. Skuadrën e fus gjithmonë për të fituar në fushë.

Çfarë prisni dhe do të kërkoni nga lojtarët?

Duhet të luajmë me më shumë ide. Duhet të përmirësojmë të gjitha gjërat, për të cilat po punojmë. Nuk duhet që të ndryshojmë mendim për një ndeshje. Sigurisht që nga kjo ndeshje dhe nga kjo humbje kam marrë ide akoma më të mira.
Ndeshja e radhës në transfertën e Erzenit. Çfarë prisni?

Tani do të përgatisim ndeshjen tjetër. Për këtë kemi disa ditë në dispozicion që janë të mjaftueshme. Është fillimi i kampionatit. Sido që të jetë diçka duhet të përmirësojmë. Nuk më intereson që në ndeshjen me Burrelin luajtëm gjithmonë në sulm. Ne duhet që të luajmë më thjeshtë dhe më me mendje.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"