Tomori vijon pa busull, heshtja e drejtuesve thellon krizën në futbollin beratas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 14:54

Tomori vijon pa busull, heshtja e drejtuesve thellon krizën në futbollin beratas

Futbolli beratas po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Zhvillimet e fundit rreth Tomorit pasqyrojnë qartë krizën e thellë që po përjeton klubi, ndërsa strukturat drejtuese vijojnë të mbajnë një heshtje të plotë, pa dhënë asnjë sinjal për të ardhmen.

tomori-feston

Kanë kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i kampionatit dhe në Berat ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, qoftë për të analizuar sezonin e dështuar, qoftë për të prezantuar një projekt që do t’i japë shpresë tifozëve për të ardhmen e skuadrës. Mungesa e transparencës dhe e komunikimit me opinionin sportiv është kthyer në shqetësimin kryesor të tifozërisë beratase. Në një moment kur klubi ka nevojë për qartësi dhe vizion, askush nga drejtuesit e klubit apo përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse nuk ka dalë publikisht për të shpjeguar se cili do të jetë drejtimi që do të marrë Tomori në sezonin e ardhshëm.

Kjo heshtje e gjatë ka krijuar pasiguri dhe pakënaqësi te tifozët, të cilët prej javësh presin të mësojnë diçka konkrete për planet e klubit. Interesi për të ardhmen e Tomorit mbetet i madh, por deri tani mungon çdo lloj informacioni mbi objektivat, projektin sportiv apo lëvizjet që pritet të ndërmerren. Sipas komenteve që qarkullojnë në ambientet sportive të qytetit, situata konsiderohet shqetësuese. Shumë tifozë dhe njerëz të afërt me futbollin beratas e shohin këtë mungesë reagimi si një tregues të qartë të krizës së thellë që ka përfshirë klubin. Në këto kushte, ajo që kërkohet më shumë nga tifozëria është një dalje publike e drejtuesve, një analizë e sezonit të kaluar dhe, mbi të gjitha, prezantimi i një projekti të besueshëm që mund të kthejë optimizmin te një prej klubeve më me histori të futbollit shqiptar.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL