Tomori-Lushnja, ishte një duel mes vëllezërish/ Oresti tregon ngacmimet, Paolo: I duhet kohë që të më mundë, ja emocionet pas barazimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 22:02

Tomori-Lushnja, ishte një duel mes vëllezërish/ Oresti tregon ngacmimet, Paolo: I duhet kohë që të më mundë, ja emocionet pas barazimit

Tomori-Lushnja kish te edhe një sfidë brenda familjes. Nuk ishte thjesht një ndeshje mes dy skuadrave, por edhe mes dy vëllezërve Kasmollari. Për të dytën herë në karrierë, Paolo dhe Oresti përballen me njëri-tjetrin. Në bilancin e këtyre ballafaqimeve, fitimtar është vëllai më i madh që vjet luante te beratasit dhe këtë vit është pjesë e lushnjarëve.

Collage Maker-04-Oct-2023-10-01-PM-2145

Me largimin e tij te verdhejeshilët, vendin e tij te skuadra e drejtuar nga Klodian Arbëri e zuri i vogli i shtëpisë, që deri një sezon më parë ishte pjesë e Dinamos. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, vëllezërit kanë treguar emocionet e ballafaqimit të tyre në fushë, por folën edhe për barazimin.

ORESTI KASMOLLARI

Është vetëm 18 vjeç, por në fushë ka një pjekuri të frikshme. Pret më shumë nga vetja sidoqoftë, ndonëse nuk e mohon se ishte shumë i ngarkuar para se të zbriste në fushë. Dhe shkaku ishte Paolo. “Që në momentin e parë, kur trajneri më projektoi si titullar më kapën emocionet. E ndieja përgjegjësinë që do të kisha. Fillimisht duhet të justifikoja besimin e trajnerit, së dyti të fitoja vlerësimin e tifozërisë beratase dhe e fundit t’i tregoja vëllait tim të madh se sa vlej. Ai ka qenë dhe një nga modelet e mia më të mira dhe më ka shërbyer në karrierën time si udhërrëfyes.

Atij i detyrohem shumë. Është Paolo që më sugjeroi të zgjidhja beratasit këtë kampionat. Gjatë ndeshjes kam bërë maksimumin për të fituar, edhe si një sfidë personale me vëllanë tim Paolon, që sezonin e kaluar më kishte mundur me Tomorin në kryeqytet, kur unë luaja me Dinamon. Këtë radhë, ishte po ai që me Lushnjën më ndali mua me Tomorin. Më erdhi keq që nuk shënova dot, edhe pse e kërkova me insistim golin, sikurse më ligështoi barazimi.

Me atë që dhuruam në pjesën e dytë dhe plus penalltinë e humbur, them me bindje se Tomori meritonte fitoren. Pas ndeshjes, në mbrëmje e kemi analizuar sfidën me Paolon, por edhe jemi ngacmuar. Në disa momente në zonat respektive kemi markuar edhe njëri-tjetrin”, u shpreh Oresti, që numëron 202 minuta për këtë fillimsezoni.

PAOLO KASMOLLARI

Për 23-vjeçarin pika që morën në Berat, është ajo e kthesës. I gëzohet formës së të vëllait, por qartazi i kujton se nuk ka ardhur ende koha që ta mundë. “Edhe unë pata po aq emocione sa Oresti. Kam qenë pjesë e Tomorit për gati tri sezone dhe kam shumë miq në Berat, ndonëse tani luaj te Lushnja. E dija që tifozët vendës do të më mirëkuptonin dhe kështu ndodhi, për 90 minuta u ndjeva i vlerësuar edhe nga shkallët e stadiumit. Por, jo pak merak kisha edhe për vëllain tim të vogël. Pavarësisht se unë doja që të merrja pikë me ekipin tim, dëshiroja edhe një paraqitje pozitive të tij. Unë ia di vlerat. Ka talent dhe të ardhme, aq sa jam i sigurt që do të shpërthejë këtë vit.

Unë e solla Orestin te Tomori, duke e ditur edhe pjesën që Klodian Arbëri ka një stil pune që i stimulon shumë të rinjtë. Bëri mirë dhe kjo më kënaqi, ashtu si edhe unë, ndonëse u dëmtova. Barazimi? Lushnjën e kënaqi pika, por tani po punojmë të kthehemi te fitorja. Luajmë me Luzin 2008 dhe llogaritë janë të qarta. Me gjithë zemër i uroj edhe Tomorit të shkojë sa më lart në tabelë, ashtu si edhe Lushnjës sime. Vëllait tim të vogël pastaj, kam diçka për t’i thënë. Do të presë ca kohë për të më mundur mua në fushën e lojës (qesh)”, përfundoi Orest Kasmollari, që me Lushnjën është aktivizuar 540 minuta të plota.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"