Tomori i shpërbërë, flet ish-portieri beratas: Tifozët t’i marrin zyrtarët me vezë dhe domate
Në Berat jo vetëm që nuk ekziston skuadra e futbollit, por që nga momenti i ndeshjes së fundit zyrtare me Lushnjën kampionatin e kaluar, duket se rrëzimi në të Dytën i ka dhënë një goditje vërtetë të fortë Tomorit.
Nisur nga situata aktuale, duhet pranuar se kriza është e paprecedentë, që jo vetëm nuk po formon dot skuadrën, por nuk po arrijnë as të emërojnë stafin e ri teknik. Pavarësisht disa kandidatëve të njohur vendës që i janë vetofruar klubit, për fat të keq nga ky i fundit dhe bashkia si pronare e aksioneve, ka vetëm heshtje duke mos marrë asnjë përgjegjësi morale dhe ligjore.
Flitet nën zë, se Tomori në kampionatin e ardhshëm do të përfaqësohet nga skuadra e të rinjve, projekt i cili nënkupton në një farë mënyre se paraqitja do të jetë vetëm formale dhe pa asnjë objektiv madhor. Ish-portieri Bledar Dura, rikthehet të flasë për situatën dhe ka një ftesë për tifozët beratas.
”Po flasim vazhdimisht dhe s’po marrim asnjë reagim zyrtar, ndërsa klubi dhe bashkia që janë shkaktarët e vërtetë që zbritën Tomorin nga kategoria, vazhdojnë të tallen me historinë e skuadrës dhe tifozërinë. Unë do t’u kërkoja tifozëve që ta zgjidhin sipas mënyrës së tyre me vezë dhe domate, rrugë tjetër nuk ka me këta zyrtarë që morën më qafë Tomorin”, përfundon Bledar Dura.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.Al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"