“Tkurret” skuadra e Kategorisë së Parë, drejtuesit marrin seriozisht merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 15:09

“Tkurret” skuadra e Kategorisë së Parë, drejtuesit marrin seriozisht merkaton

Shumë largime nga Butrinti. U bënë më shumë se dy javë që grupi ka filluar të tkurret. Bëhet fjalë për lojtarë të cilët janë cilësuar si rikthime.

Korabi-Butrinti

Mes tyre spikat Mario Mërkuri apo edhe Kristi Basha që është dalluar si shënues, por edhe ka mbajtur shiritin e kapitenit vjet tek U-19.

Veç tyre janë larguar edhe Albi Selimaj, Kristo Thodhori apo Hysi, emra që kanë impresionuar jo pak në radhët e skuadrave të moshave dhe janë cilësuar si elementë të perspektivës.

Duke mos pasur hapësirat e duhura në skuadrën e parë, kanë zgjedhur të ikin. Edhe pse të mirëpaguar ndoshta në Sarandë, domosdoshmëria për të marrë minuta i ka detyruar që t’i bashkohen Delvinës ose edhe ekipeve të tjera që militojnë në Kategorinë e Tretë.

Nëse këtyre futbollistëve u shtojmë edhe largimet e mbrojtësit Niko Paterni (italianit i përfundoi kontrata 6-mujore në Sarandë) apo dhe portierit Ariol Kaloshi (që ka komunikuar prej kohësh “divorcin” me klubin dhe në Cërrik luajti ndeshjen e fundit), atëherë situata bëhet edhe më serioze.

Kjo, pasi Butrinti duhet të mendojë seriozisht për merkaton. Faza e dytë është gjithmonë më e fortë se e para dhe duke parë objektivin mbijetesë që kanë sarandjotët, gjithçka bëhet edhe më e vështirë nëse nuk lëvizet shpejt. Sidomos, në fundin e garës, kur futbolli nuk luhet shumë në fushë, por me laps e letër, me llogari.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"