Tirana, si fotokopje e 2016-ës/ Bardheblutë kanë 6 pikë më pak se sezonin e kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 23:00

Tirana, si fotokopje e 2016-ës/ Bardheblutë kanë 6 pikë më pak se sezonin e kaluar

Tirana është “mbretëresha” e barazimeve në këto katër javë kampionat. Skuadra bardheblu, edhe në sfidën me Bylisin mori barazimin e katërt rresht në katër javë kampionat. Një nisje gri e sezonit që ka anën e mirë të saj, por edhe anën e errët.

TIRANAAAA

Për ata që nuk e dinë, Tirana është skuadra që ende nuk ka njohur shijen e humbjes, por as të fitores. Bardhblutë janë ekipi i pamposhtur në Kategorinë Superiore. Asnjë skuadër tjetër nuk rezulton të jetë e pamposhtur në këtë kampionat dhe së bashku me Laçin nuk ka fituar një ndeshje në 360 minuta lojë zyrtare. Deri dy ditë më parë ishte edhe Egnatia, por ajo u mund në Shkodër dhe bashkohet me ekipet e tjera.

ANA TJETËR – Barazimet janë mirë apo keq, kjo do të shihet. Fakt është që shumë trajnerë duan që më mirë të fitojnë dy takime dhe të munden në dy të tjera sesa ta mbyllin një 90-minutësh pa fitues. Barazimi është thjesht humbje pikësh. Gjithsesi, bardheblutë në historinë e tyre vetëm një herë e kanë nisur kampionatin me 4 barazime. Dhe ky fakt ka ndodhur në sezonin 2016-2017.

Tirana e asaj kohe, në katër javët e para barazonte me Teutën dhe Laçin 0-0, 2-2 me Kukësin dhe në javën e katërt me Partizanin 2-2. Këtë sezon, Tirana ka barazuar dy herë 2-2 me Bylisin dhe Vllazninë, një herë 1- 1 me Egnatian dhe 0-0 me Laçin në premierë.

Skuadra ka shënuar 5 gola dhe ka pësuar po pesë. Për koincidencë, Tirana në sezonin 2016-2017 në fund të 36 javëve ra nga kategoria, çka do të thotë se paçka lojës së mirë duhet të ketë kujdes grumbullimin e pikëve, pasi minimalisht rrezikon katërshen e parë të Superiores.

TIRANA

SEZONI I SHKUAR – Nga sezoni i shkuar, Tirana është shumë larg. Në fund të javës së katërt, bardheblutë kryesonin kampionatin me 10 pikë. Në këtë moment të këtij sezoni, skuadra ka 4 pikë në katër javë, pra gjashtë pikë më pak sesa nga kampionati i shkuar, ose tetë pikë nga ato maksimale që mund të merreshin.

Për t’u shënuar se skuadra bardheblu në pesë javët e tjera të Superiores, duhet të luajë dy derbe, me Partizanin dhe Dinamon. Do të sfidojë të hënën ekipin e Elbasanit, dhe më pas Teutën dhe Skënderbeun.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"