Tirana në kërkim të identitetit, po çfarë duhet të bëjë Mile më shumë?
Te Tirana ka krizë që në dy javët e para dhe kjo nuk mund të mohohet. Skuadra nuk është fare në shina dhe për shumë arsye. Nëse kthehemi pas, Tirana e sezonit të kaluar nuk ishte perfekte, por kishte një bosht të qartë dhe një filozofi loje më të qëndrueshme. Me disa individë që bënin diferencën, skuadra arrinte të merrte pikë edhe në ditë të vështira.

Sot, bardheblutë duken pa busull. Një nga ndryshimet më të dukshme është reparti ofensiv. Sezoni i kaluar Tirana kishte lojtarë që arrinin të hapnin mbrojtjet kundërshtare me veprim individual ose kombinime të shpejta. Tani, mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë po i kushton shumë. Përpjekjet për të adaptuar lojtarë si Patsatsias në role të reja nuk po japin rezultat.
MESFUSHA – Një tjetër pikë e dobët është mesfusha. Vitin e kaluar, mesfushorët jo vetëm që qarkullonin topin më shpejt, por edhe mbanin presionin e kundërshtarit larg zonës së rrezikshme. Me strategjinë aktuale të Miles, ku presingu pothuajse mungon, kundërshtarët e kanë të lehtë të ndërtojnë aksione dhe të arrijnë pranë portës bardheblu. për më tepër që mungon mesfushori shkatërrues, ose të paktën Lleshi pozicionohet në mbrojtje.
TRAJNERI – Në aspektin menaxherial, eksperienca e kufizuar e trajnerit po bën diferencën. Në futbollin modern, adaptimi i shpejtë dhe leximi i lojës në kohë reale janë elementë thelbësorë. Tirana aktualisht nuk po i ka. Vendimet për formacionin shpesh duken të vonuara ose të gabuara, dhe mungesa e një plani “B” është alarmante.
Nëse klubi nuk merr masa, rreziku është që sezoni të shkojë drejt një rrjedhe zhgënjyese. Rikthimi i Metës dhe Dembelesë mund të sjellë energji, por pa një qartësi taktike dhe një lider të mirëfilltë, është e vështirë të pritet një kthesë e madhe.
PANORAMASPORT.AL













