Tirana luan me “zjarrin” dhe përfundon në Rrogozhinë, stadiumi bëhet hall në finish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2023 | 21:36

Tirana luan me “zjarrin” dhe përfundon në Rrogozhinë, stadiumi bëhet hall në finish

Tirana ka kohë që luan me “zjarrin”! Nga mungesat e shumta, te dëmtimet, pezullimet, golat në frymën e fundit dhe përmbysjet e rezultateve, por ia ka dalë të mbajë kreun me diferencën +2 pikë nga Partizani edhe pas ndeshjes direkte që zhvilloi këtë të mërkurë.

tirana

Mirëpo, tani sikur të mos mjaftojë fakti që i luan tri ndeshjet vendimtare për titullin me skuadra që janë në garë për Europën dhe mbijetesën, i shton vetes një hall të madh me stadiumin. Por pse pikërisht me stadiumin? Sepse pas ndeshjes me Laçin të dielën, bardheblutë presin Bylisin për javën e 35-të të mërkurën (25 maj) dhe nuk dinë se në cilin stadiumin do të luajnë, në një kohë që ky takim mund të jetë më i rëndësishmi i këtij kampionati për objektivin titull.

E paimagjinueshme për klubin më të madh në vend, që edhe pse ka një stadium të vetin (“Selman Stërmasi”), prej kohësh nuk e përdor, sepse ndoshta nuk e mirëmban dot ose më saktë nuk do që të shpenzojë për fushën. Mirëpo, edhe pse në kryeqytet ka tre stadiume (“Air Albania”, “Arena e Demave” dhe “Selman Stërmasi”), Tirana në ndeshjen që mund të vlejë titullin ndaj Bylisit, sipas të gjitha gjasave do ta zhvillojë në Rrogozhinë, aty ku luan si pritëse Egnatia, që si për ironi është rivali i Tiranës në finalen e Kupës.

“Panorama Sport” mëson se të mërkurën e 25 majit, kur dhe duhet të luhet Tirana-Bylisi, “Air Albania” është i zënë, sepse aty do të zhvillohet koncerti i këngëtarit grek, Nikos Vertis, ndërsa në “Selman Stërmasi”, ku ekipi nuk luan prej kohës, shanset për të pritur Bylisin janë zero për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës. Për fat të keq, Tirana nuk e pret dot Bylisin as në “Elbasan Arena”, sepse në atë ditë në këtë stadium do të luhet Kastrioti-Partizani. Në këtë mënyrë, me variantin e stadiumit të Partizanit, që është i djegur për bardheblutë, si dhe atë të Kamzës, ku fusha është sërish me probleme, Tirana nuk luan dot as në Durrës, sepse aty Teuta pret Egnatian. Në këto kushte, mundësia më e madhe për Tirana-Bylisi është të luhet të mërkurën në Rrogozhinë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"