Tirana kualifikohej për herë të parë në Kupën e Kampioneve, Arben Vila: Në avion me Boris Bekerin, por na pyesnin për Xhevdet Mustafën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 22:48

Tirana kualifikohej për herë të parë në Kupën e Kampioneve, Arben Vila: Në avion me Boris Bekerin, por na pyesnin për Xhevdet Mustafën

Ish-sulmuesi i Tiranës, Arben Vila, thotë se në Belfastin e largët u pyetën më shumë për bandën e Xhevdet Mustafës sesa për ndeshjen. Ndërkohë, rrëfen se kishin qenë në një avion me tenistin e famshëm Boris Beker. “Pas largimit nga Budapesti ku qëndruam një natë, në transitin në Bruksel, ku bashkë me ne ishte edhe tenisti Boris Beker, zbresim në Belfast.

bn

Na kishin rezervuar një hotel i ngjashëm me atë të Ishullit të Lezhës, gjelbërim, tipik i stilit britanik. Zbresim nga autobusi, shohim që na presin gazetarë të shumtë, duke menduar se ishin të interesuar për takimin, por jo. Pyetjet e tyre kishin lidhje me mbërritjen në Shqipëri të bandës së Xhevdet Mustafës, ngjarjes që kishte bërë bujë dhe kishte marrë dhenë.

E logjikshme, sepse kishte ndodhur vetëm një ditë pas nisjes sonë. U befasuam, ishte doktor Manushi dhe unë që komunikonim në anglisht, duke i informuar se nuk kishim asnjë informacion dhe që nuk ishim të interesuar për çfarë ata donin të dinin.

Pati një moment kur dikush hodhi disa fletushka të bardha me tekste kundër qeverisë në mbrojtje të priftërinjve katolikë të persekutuar nga shteti shqiptar. U krijua një konfuzion, që na detyroi të futeshim në dhoma, pa mundur të dilnim, se ata qëndronin aty, na ndiqnin nga pas”, deklaroi Vila ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

“AGUSTINIT I PROPOZUAN TË QËNDRONTE”

Në vijim të rrëfimit në lidhje me interesimin për Agustin Kolën, Vila kujton: “Agustini ka qenë lojtari më i mirë në fushë, e pëlqyen shumë. Pas ndeshjes, në banketin e organizuar, vjen një zyrtar i klubit dhe më thotë se lojtarin me numër 11 e kërkon presidenti i klubit. Bashkë me Kolën shkojmë e takojmë. “Ne jemi të interesuar dhe duam të qëndrosh këtu, të garantojmë gjithçka, me pagesa të larta, ishin propozimet e tyre. Agustini i dëgjonte, hezitonte. “Jo nuk mundem, kam familjen në Tiranë.

Nëse qëndroj këtu, ata kanë pasoja të rënda”. “Mendohu, na thuaj para se të largoheni”, i thoshin ata. U kthyem në hotel, e shihja Agustinin që mendohej: “Si t’ia bëj më thoshte, qëndrojmë bashkë?” Ishte i ri, në formë, fizikisht shkëlqente, bënte diferencë. Mund të luante me shumë klube të Europës në atë kohë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"