Tirana-Flamurtari kthehet pas 5 vitesh, Pjeshka “i mbijetuari” i vetëm në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2025 | 13:27

Tirana-Flamurtari kthehet pas 5 vitesh, Pjeshka “i mbijetuari” i vetëm në Vlorë

Më 18 korrik 2020, Tirana dhe Flamurtari u përballën për herë të fundit në Kategorinë Superiore. Një ndeshje që u mbyll me fitoren e bardhebluve 2-0, falë golave të Ernest Muçit (20′) dhe Marsel Ismajlgecit (67′), do të mbetej e veçantë jo vetëm për rezultatin, por edhe sepse shënoi fundin e një epoke për skuadrën vlonjate.pjeshkaNë atë takim, Flamurtari luante një nga sezonet më të vështira të historisë së tij moderne. Me probleme financiare, organizative dhe me një ekip të brishtë, kuqezinjtë nuk arritën dot të përballonin nivelin e elitës dhe përfunduan duke rënë nga Kategoria Superiore. Pas më shumë se pesë vitesh, nga ajo skuadër e vitit 2020 ka mbetur vetëm një emër që ende mban fanellën e Flamurtarit, Denis Pjeshka.

Mbrojtësi i vlonjatëve është i vetmi “i mbijetuar” i asaj periudhe të vështirë, duke përfaqësuar një lidhje të gjallë mes brezit që ra nga Superliga dhe përpjekjes aktuale për ringritje. Pjeshka është shndërruar në një figurë simbolike për Flamurtarin, jo vetëm si lojtar me eksperiencë, por edhe si një element që përçon memorien e fundit duel me Tiranën në elitë, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Për shumë tifozë, prania e tij në skuadër është një kujtesë e gjallë se historia mund të përsëritet dhe se Flamurtari mund të rikthehet sërish aty ku i takon.

Fitorja e Tiranës më 18 korrik 2020 shënoi për momentin fundin e këtij rivaliteti në Superiore. Sot, ndërsa bardheblutë vazhdojnë rrugën e tyre mes elitës dhe garës për tituj, Flamurtari është ende në kërkim të rikthimit. Te ajo ndeshje e 2020-ës, pjesë e Tiranës, por në stol, kanë qenë edhe Idriz Batha dhe Erando Karabeci.

Aktualisht Batha është pjesë e vlonjatëve, por i dëmtuar, ndërsa Karabeci është rikthyer te Tirana si alternative. Mes gjithë ndryshimeve të viteve të fundit, vetëm Denis Pjeshka mbetet si ura që lidh të shkuarën e afërt me të ardhmen e kuqezinjve.

PANORAMASPORT.AL