Tirana-Egbo, katër vite pritje për takimin e… “hakmarrjes”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 9:25

Tirana-Egbo, katër vite pritje për takimin e… “hakmarrjes”

Tirana dhe Emanuel Egbo takohen pas katër vitesh. Këtë herë kundër njëri-tjetrit. Një takim i ish-trajnerit që i ktheu skuadrës titullin kampion pas më shumë se 10 vitesh, pikërisht në 100 vjetorin e klubit.

Egbo

Një takim i pritur prej katër vitesh ose mundësi për një formë hakmarrje për atë që ndodhi në nëntorin e 2020-ës, kur nigerino-shqiptari u shkarkua pas eliminimit nga Kupa prej Korabit. Dhe të thuash, që Egboja është nga ata që me Tiranën ka arritur të bëjë të paimagjinueshmen në sezonin 2019-2020. Nga vendi i fundit fitoi titullin kampion, ndërsa luaji me Jang Bojsin në “play-off” të Europa League.

Mes Tiranës, Egbosë dhe Byisit do të jetë një triller të mërkurën në Ballsh. Për Egbonë, e mërkura do të jetë një mundësi hakmarrjeve për atë shkarkim, që ai mendon se nuk e meritonte. Dhe të thuash që fitoren e fundit, Bylisi e ka kundër Tiranës së Egbosë në 2 korrik 2020. Më pas kanë qenë bardheblutë, të cilët kanë dominuar në çdo drejtim.

Në fakt, Tirana nuk humbet me ballshiotët prej 2020-ës, më saktë ndeshjen 2- 1 të fituar nga mallakstriotët në atë sfidë polemike, që u mor në diskutim edhe nga Etika. Pas asaj ndeshjeje në 2 korrik 2020 janë luajtur edhe 10 ndeshje të tjera. Nga këto 10 takime, bardheblutë kanë fituar katër ndeshje. Gjashtë takime të tjera janë mbyllur në barazim. Tirana shpreson që të rikuperojë lojtarë, Abah dhe Jaku. Të dy lojtarët kanë shqetësime dhe nuk kanë luajtur në javët e para të Superiores. Të shohim se çfarë do të ndodhë pas takimeve të ekipit përfaqësuese.

SHQETËSIMET – Florjan Përgjoni do të qëndrojë edhe një muaj pushim. Kapiteni humbet gjithë shtatorin dhe rrezikon tetorin. Shkak është bërë dëmtimi në këmbë. Më saktë, lojtari ka krisur këmbën dhe prej sfidës miqësore me Skënderbeun nuk ka luajtur më asnjë minutë. Në fillim u tha se do të ishte gati pas sfidave të ekipit kombëtar, por situata nuk është e mirë. Me krisjen që ka në këmbë, lojtari nuk po stërvitet dot dhe mjekët nuk po e përshpejtojnë riaftësimin e tij.

Nga ana tjetër, Shkëmbi kërkon që të ketë të gjithë gati për takimin kundër Bylisit. Skuadra luan transfertën e tretë në kampionat nga katër takime, edhe pse sfida me Egnatian, ku ishte pritëse u luajt në Durrës. Bardheblutë janë skuadra për rekord, pasi në katër javë asnjë minutë nuk e kanë luajtur në kryeqytet.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"