Tifozët vlonjat kryqëzojnë italianin pas barazimit në Burrel, Idrizi mbron trajnerin: Agostineli një histori suksesi, por…
Pas barazimit me Burrelin tifozët kanë kryqëzuar në rrjetet sociale dhe në faqen e klubit, trajnerin Andrea Agostoneli. Gjithsesi, këtë herë Sinan Idrizi ka një mendim ndryshe, ku italianin e cilëson si trajnerin me pikët më të larta për ndeshje që ka ardhur ndonjëherë te Flamurtari.
“Ky është trajneri me pikët më të larta për ndeshje. Është trajneri më i mirë. Ne duam futboll më luftarak e sulmues, por duam edhe lojë e fitore. Se si luajnë ekipet kundër nesh është pjesë e tyre. Në atë ndeshje trajneri ka bërë detyrën. Unë i kuptoj tifozët, por nuk mund t’i mësojmë futbollin Agostinelit. Ai ka një përvojë të jashtëzakonshme. Ajo që unë dua dhe pres është një futboll më agresiv”, shprehet fillimisht Idrizi.
STOLI- Mesfushorët Hose Kobian dhe Ali Adem, si dhe sulmuesi Trimor Selimi erdhën me bujë në Vlorë, por “ngrohin” stolin. Edhe Sinan Idrizit po i bën përshtypje kjo përzgjedhje e Agostinelit. “Lojtarët e stolit nuk i kemi parë shumë. Kemi lojtarë shumë të mirë si Selimi, Ademi dhe Kobian. Ndoshta trajneri nuk e ka parë të arsyeshme, por duhet që t’i shikojmë. Unë nuk futem në punët e trajnerit, por duam t’i shikojmë edhe ata në fushë”, pohon Idrizi.
POST LUSHNJA- Idrizit nuk i ka lënë shije të mirë ndeshja me Lushnjën edhe pse fituan në limite. Ai kërkon bashkëpunim më të mirë mes trajnerit dhe drejtorit sportiv. “Trajnerit i thashë që kjo është ndeshja më e shëmtuar që ke luajtur këtu. Nuk është ideja të jesh kritik me ekipin pas një ndeshje që u fitua në minutën e fundit. Mua nuk më pëlqeu mos koordinimi i stafit të Flamurtarit. Unë dua të ndërthur atë që investoj me atë që njerëzit duan të shikojnë. Nuk është gjëja se duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet 4-0, 5-0.
Edhe mund të mundemi, por kërkoj më shumë mirëkuptim nga drejtuesit, trajneri dhe gjithë lojtarët bashkë. Janë shumë 5 vite në këtë kategori. I thashë Agostinelit që përvoja që ke duhet të jetë e alternuar dhe me “këmbë në tokë”. Ai është i pari trajner në Vlorë që ka arritur historinë e këtyre sukseseve. Kurrë nuk i kishim bërë 9 fitore radhazi, madje as në Kategorinë e Dytë. Trajneri duhet të jetë më i mirëkuptueshëm. Përgjegjësia më e madhe është midis dialogimit të drejtorit sportiv Alfred Ferko dhe trajnerit Agostileni. Dua një marrëdhënie institucionale dhe jo marrëdhënie kafesh”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"