Tetova pranon vështirësitë në skuadër: Mungesat ndikojnë, por Egnatia ia del

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2024 | 10:17

Tetova pranon vështirësitë në skuadër: Mungesat ndikojnë, por Egnatia ia del

Europa thërret sërish Egnatian, skuadrën kampione të Shqipërisë. Rrogozhinasit, pasi eliminimit nga Liga e Kampionëve, luajnë sot, në orën 20:45, kundër Vikingur Reikjavikut në fushën e islandezëve.

edlir tetova

Ndeshja është e vlefshme për turin e dytë eliminator dhe Egnatia do ta ketë jo pak të vështirë, sepse përballë ka një kundërshtar të fortë, në aktivitet prej kohësh. Kampionët e Shqipërisë kanë si objektiv të shkojnë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por së fundi kanë shitur titullarë të rëndësishëm, si Ibrahimoglu, Sherri e Spahiu, kështu vështirësitë shtohen. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, është shprehur se skuadra do të lërë shenjë në Europë, pavarësisht largimeve të rëndësishme.

Tetova, si është gjendja fizike dhe psikologjike e Egnatias para duelit me Vikingurin?

Skuadra është stërvitur rregullisht dhe futbollistët gëzojnë një formë të mirë fizike, me përjashtim të Mario Gjatës dhe Rezart Ramës. Këta dy lojtarë kanë pasur probleme fizike, por që janë gati për duelin me Vikingurin. Për aspektin psikologjik do të thosha se ekipi është i qetë, i gatshëm për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje të rëndësishme për ne.

Sa do të ndikojë largimi i 3 lojtarëve titullarë javën që shkoi?

Natyrisht që do të ndikojnë largimet, pasi ishin lojtarë të rëndësishëm për ne. Ata na ndihmonin shumë, pasi kishin kualitet. Megjithatë, kemi treguar se jemi kompaktë, ngaqë organika e lojtarëve është e kënaqshme. Të mos harrojmë se në janar larguam 6 futbollistë, humbëm tragjikisht edhe Duamenën, por në maj fituam Kupën dhe titullin kampion. Ne jemi në formë dhe gati për të bërë mirë në Europë.

Do të vazhdoni me modulin tuaj 3-5-2, apo do të ketë ndryshime në formacion?

Unë u besoj ideve të mia dhe përpiqem t’i përshtatem kundërshtarit. Sa i takon modulit, do të vendos nesër (sot) për lojtarët që do të hedh në fushë nga minuta e parë.

Sa i druheni faktit që rivali juaj është në aktivitet, madje në vendin e parë në kampionatin islandez?

Është e vërtetë që Vikinguri kryeson kampionatin islandez dhe është një ekip që prodhon lojë, pasi nga njohuritë që ne kemi, ka futbollistë me kualitet. Ne do të shfrytëzojmë mundësitë tona, kemi besim te vetja dhe do të mundohemi të kualifikohemi, edhe pse e dimë që do të jetë e vështirë.

Sa shanse ka Egnatia të kalojë në turin tjetër të Ligës së Konferencës?

Shanset janë të mëdha, pasi ne jemi një skuadër që përtej largimeve ka shumë cilësi. Boshti është i gatshëm për të mbajtur peshën e përgjegjësisë. Kemi futbollistë me eksperiencë dhe fakti që ekipi gëzon një formë të mirë fizike më motivon për të parë përpara.

Për sa blerje Egnatia ka nevojë që të përforcohet për sezonin e ri?

Momentalisht, fokusi është t’u marrim maksimumin lojtarëve që kemi në dispozicion në Ligën e Konferencës. Natyrisht, do të kemi afrime, sepse synojmë maksimumin këtë sezon në të gjitha frontet. Di të them që Egnatia do të jetë më komode drejt arritjes së objektivave në elitën e futbollit shqiptar.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"