Testi i forcës me “demat”, për Egnatian nuk vlen vetëm 3 pikë
Pas fitores me një kundërshtar të vështirë si Elbasani të shtunën, Egnatia ka nisur përgatitjet për përballjen e radhës, atë me Partizanin. Bëhet fjalë për një duel me rivalin direkt, teksa vitin e kaluar ndanë në “Arenën Kombëtare” edhe se cili do të shpallej kampion pas përballjes në finale.
Për këtë arsye në kampin rrogozhinas kjo sfidë është vlerësuar maksimalisht, me synimin e vetëm për të dalë me tri pikët dhe vijuar me serinë e rezultateve pozitive. Morali në ekipin që drejtohet nga Edlir Tetova është i lartë, në një kohë që kanë edhe “hesape” për të larë për atë humbje të fazës së parë në Rrogozhinë.
SYNOHET KREU – Egnatia është një skuadër që e ka me “merak” të jetë në krye dhe të jetë ajo që udhëheq kampionatin, ashtu siç bëri gjithë sezonin e kaluar, ku në fund ngriti edhe trofeun. Këtë sezon nuk kanë munguar oshilacionet në rezultate, por ka ardhur momenti që me një fitore të jenë të vetëm në krye të klasifikimit. Rezultatet pozitive të javëve të fundit kanë bërë të mundur që rrogozhinasit t’i ngjisin shkallët në renditje sërish dhe tani të pozicionohen të dytët, me vetëm dy pikë larg Partizanit kryesues.
Ndaj, ditën e nesërme rrogozhinasit kanë mundësinë e artë që të rimarrin sërish kreun e klasifikimit, të cilin e humbën në javën e gjashtë dhe deri më tani nuk e kanë rimarrë dot më. Me durim dhe pa panik, ekipi i Edlir Tetovës duket se ka kapur formën maksimale dhe kërkon ta shfrytëzojë në maksimumin e vet këtë moment pozitiv që po kalon. Nga ana tjetër, edhe lojtarët e ndëshkuar me kartonë si Edison Ndreca dhe Abdurraman Fangaj që munguan në përballjen e fundit ndaj Elbasanit, do të rikthehen, ndaj edhe “kartat” për të synuar fitoren duken në rregull përpara kësaj ndeshjeje.
TEST FORCE – Ndonëse Egnatia vjen pas një forme të mirë në javët e fundit, mund të thuhet se me Partizanin është edhe një test force. Mjafton të përmendet se ndeshen me një nga skuadrat më të konsoliduara, që kryeson renditjen dhe një nga rivalët më të fortë për titullin kampion.
Për këtë arsye një fitore ndaj tyre do të tregonte potencialin që kanë rrogozhinasit dhe progresin e vërtetë që kanë bërë pas ndryshimeve jo të pakta në organikë nga edicioni i kaluar. Për këtë arsye, me Partizanin është një ndeshje që vlen më shumë sesa thjesht tri pikë dhe vendi i parë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"