TENIS/ Zverev u bashkohet të mëdhenjve, hyn në klubin që thyen “Big 3” dhe dyshen Alkaraz-Siner
Alexander Zverev shkroi histori të dielën në “Roland Garros”, duke u bërë tenisti i shtatë që ka arritur të thyejë dominimin e jashtëzakonshëm të “Big Three”, Rafael Nadal, Novak Xhokoviç dhe Roxher Federer, si dhe të brezit të ri të udhëhequr nga Karlos Alkaraz dhe Janik Siner.

Për të kuptuar madhësinë e suksesit të gjermanit, mjafton një statistikë: këta pesë kampionë kanë fituar së bashku 73 nga 84 titujt e fundit Grand Slam. Vetëm shtatë lojtarë të tjerë kanë arritur të ndërhyjnë në këtë hegjemoni: Juan Martin del Potro (US Open 2009), Andi Murrej (US Open 2012, Uimbëlldon 2013 dhe 2016), Stan Vavrinka (Australian Open 2014, Roland Garros 2015 dhe US Open 2016), Marin Ciliç (US Open 2014), Dominik Tiem (US Open 2020), Danil Medvedev (US Open 2021) dhe tashmë Aleksandër Zverev me triumfin në “Roland Garros 2026”.
Medvedev ishte përfaqësuesi i fundit i të ashtuquajturit “brezi i humbur” që arriti të rrëmbente një titull Grand Slam nga duart e gjigantëve të tenisit. Madje, ai ndaloi edhe Novak Xhokoviçin të kompletonte Grand Slamin kalendarik në vitin 2021. Tashmë pyetja kryesore është nëse Zverev do të mbetet me këtë sukses të vetëm, si Del Potro, Ciliç, Tiem dhe Medvedev, apo do të vazhdojë të pasurojë koleksionin e tij të trofeve.
“Nëse do ta kisha humbur këtë finale ndaj Kobolit, besimi im do të ishte goditur shumë. Tani që kam fituar të parin, ndiej se mund ta bëj përsëri”, deklaroi Zverev, i cili u bë lojtari i parë nga Gjermania që fiton në “Roland Garros” në Epokën Open. “Çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, unë do të jem gjithmonë kampion i një Grand Slami. Askush nuk mund të ma marrë këtë”, shtoi gjermani.
Zverev pritet të rikthehet në fushë në turneun e Halle, event që do të mbahet më datat 15-21 qershor. Në këtë “ATP 500” që zhvillohet në fusha me bar, ai nuk do të përballet me Janik Sinerin, pasi italiani ka vendosur të pushojë me familjen e tij në Sardenjë dhe do të udhëtojë direkt drejt Uimbëlldonit pa zhvilluar ndeshje përgatitore në fushat me bar. Ndërkohë, në Uimbëlldon, siç dihet, do të mungojë edhe Karlos Alkaraz, i cili vazhdon rikuperimin nga problemi në kyçin e dorës dhe synon të rikthehet gjatë sezonit amerikan në fushat e forta.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













