“Telenovela” me bastet, mazhoranca e përçarë / Shalsi: Duhet ligj më i plotë. Braçe: Të luftohen ato në të zezë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 12:20

“Telenovela” me bastet, mazhoranca e përçarë / Shalsi: Duhet ligj më i plotë. Braçe: Të luftohen ato në të zezë

Një projektligj i qeverisë për rik thimin e basteve sportive online nuk po gjen dakortësi mes deputetëve të mazhorancës, për shkak të mungesës së mekanizmave të kontrollit dhe problemeve me taksimin, ndërsa opozita e quan atë “një ligj klientelist”. Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi dje, pa rezultat, ndryshimet e ligjit “Për lojërat e fatit”, që parashikon rikthimin e tyre online, pesë vite pasi qeveria “Rama” i mbylli ato me ligj.

bastet

Në një mbledhje online me praninë vetëm të deputetëve të mazhorancës nuk u arrit një konsensus për ndryshimet e reja të propozuara për draftin e qeverisë nga kryetari i komisionit, Eduart Shalsi.

Që në nisje, Shalsi pranoi se këto ndryshime nuk e zgjidhin sfidën e menaxhimit të këtij tregu, duke i kërkuar Ministrisë së Financave që të hartojë një ligj të ri më të plotë.

Propozimi i parë lidhej me mënyrën e organizimit të garës duke vendosur dhe një tarifë ekstra për kompanitë fituese të licencave për organizimin e këtyre lojërave.

“Meqenëse licenca do të jetë 10 vjet, gara të organizohet në dy faza, konkurrim fillestar me plotësim bazik të dokumenteve ligjore dhe faza e dytë të ketë një komponent financiar,” tha Shalsi, duke sqaruar që kriteri të jetë “kush investon më shumë” me idenë e një ankandi dysheme.

Propozimi i dytë lidhej me ndërtimin e një sistemi, tek i cili do të lënë gjurmë të gjitha transaksionet që do të ndodhin në kompanitë e lojërave online dhe basteve sportive.

“Ka një koncesion që do mbetet në fuqi, por sugjerohet që ky lloj sistemi përfshirë edhe monitorimin, të jetë i monitoruar në kohë reale në një rekord”, shtoi ai.

Ai pranoi se në komision kishin ardhur propozime të shumta dhe një ndër to ishte kërkesa nga ish-kompanitë e basteve që të mos jetë kusht skualifikues aktiviteti në 3 vende të huaja, por një minimum vitesh në këtë fushë.

Kjo kërkesa nuk u pranua dhe Shalsi sqaroi se, komisioni do t’i qëndrojë përcaktimit të kriterit që kompania të ketë përvojë jo më pak se 3 vjet në këtë fushë në 3 vendet e OECD-së. Sipas tij, do të duhet të përcaktohet sipas legjislacionit vendas edhe përqindja e aksioneve që do të ketë aksionari i huaj, që është si një kriter tjetër kufizues.

Braçe – Deputeti Erion Braçe, i cili e ka kundërshtuar këtë projektligj që në nisje, kundërshtoi edhe propozimet e reja duke thënë se ajo që propozohet është ta lëshojmë pa duar fare, ta përhapim kudo.

“Duam ta legalizojmë dhe kontrollojmë apo vetëm po e legalizojmë dhe ta lëmë të lirë”? pyeti Braçe duke konstatuar se ligji s’ka masa për ta kontrolluar.

Braçe propozoi që platforma e basteve online të jetë në pronësi të shtetit dhe monopol, si e vetmja mënyrë për të kontrolluar aktivitetin e paligjshëm.

Deputetët e tjerë – Edhe deputetë të tjerë socialistë kritikuan këtë nismë ligjore të qeverisë dhe vijuan të këmbëngulin që tatimi mbi kompanitë që do të licencohen është zero, duke vënë në pikëpyetje përfitimin e shtetit.

“S’mund të paguajnë tatime më pak se ata që ushtrojnë aktivitet tregtar,” tha Alban Xhelili, duke e cilësuar tatimin e parashikuar “jo të drejtë”. Ai po ashtu foli për riskun e manipulimit, duke iu referuar dhe konsultimeve me përfaqësues të kompanive të basteve.

Sipas Xhelilit, këto mungesë garancie në platformat e tyre mund të çojnë në evazion, por edhe në elementë të pastrimit të parave. Edhe deputetja Pranvera Resulaj kërkoi tatim më të lartë për kompanitë e basteve.

Pas debateve, Shalsi pranoi se formalizm 100 % të tregut nuk mund të pretendohej, por të paktën ndryshimet synojnë legalizimin e tregut ilegal që është aktualisht. Opozita e ka kundërshtuar fort këtë nismë të qeverisë.

Tabaku – Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, i tha “BIRN” se edhe ndryshimet e reja që propozohen nuk e ndryshojnë perceptimin se ky është “ligj klientelist”.

“Qeveria vazhdon traditën e ligjeve me porosi dhe klienteliste,” tha Tabaku, duke i cilësuar ndryshimet si “favorizim i një pakice, ndëshkim i shumice, që thellon pabarazinë si në kuptimin e taksimit të këtyre bizneseve, ashtu dhe në vendosjen e rregullave.

“Ende nuk ka qartësi sesi do operohet me kompanitë e huaja që duhet të jenë ortake me ato shqiptare. Këto paqartësi krijojnë probleme serioze, duke pasur parasysh se shumica e kontratave që SPAK po i provon si korruptive dhe i ka hetuar, kanë pasur kompani të huaja”.

(BIRN)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"