Telashet nuk kanë fund te Kukësi, bëhen gati ndëshkimet për formën e skuadrës
Vetëm dy pikë në 5 ndeshje, Kukësi bën gati ndëshkimet Humbja e fundit e Kukësit ndaj Kastriotit e riktheu edhe njëherë këtë klub në situatën para marrjes së detyrës nga ana e Rraman Hallaçit, kur ekipi nuk po gjente dot rezultatet e duhura. Bëhet fjalë për ecurinë më të dobët që nga koha kur drejtimin e skuadrës e mori Hallaçi, i cili arriti të rikthente besimin në ekip, madje skuadra nisi të flirtojë edhe me kupat e Europës.
Mirëpo, nga 15 pikë të mundshme në javët e fundit, Kukësi ka marrë vetëm dy. Bëhet fjalë për dy barazimet ndaj Erzenit dhe Vllaznisë, ndërsa ka humbur ndaj Egnatias dhe Tiranës, si edhe ndaj Kastriotit në fund. Më konkretisht, verilindorët sigluan rezultatin e pestë radhazi pa marrë një fitore dhe tani janë në zonën “play out”, duke diskutuar seriozisht edhe qëndrimin në elitë, si asnjëherë më parë që nga koha kur u bënë pjesë e më të mirave.
PRITEN MASA – Në klub pritet të mos e kalojnë shumë lehtë këtë humbje të fundit, sepse ka ardhur përballë një kundërshtari që të paktën në letër ishte i kalueshëm. Nëse në fund të sfidës ishin tifozët ata që i kërkuan llogari, por më pas i premtuan mbështetjen për vazhdimësinë, në klub pritet të mos e tolerojnë këtë gjendje që po kalon skuadra. Deri më tani drejtuesit kanë përtypur rezultatet negative me synimin për të mos prishur grupin, por pesë rezultate negative radhazi duket se e kanë mbushur kupën. Mësohet se në klub do të bëjnë një analizë të thellë për të nxjerrë përgjegjësitë e gjithsecilit, ku nuk përjashtohen edhe masa drastike për ndonjë lojtar, i cili nuk ka pasur impenjimin e duhur.
Në klub e cilësojnë si të papranueshme faktin që një klub që gjithnjë synon minimumi kupat e Europës, të arrijë në këtë gjendje që të vërë në diskutim qëndrimin. Edhe më herët në klub nuk kanë munguar përplasjet edhe me lojtarë të veçantë, duke u akuzuar për mungesë impenjimi që ka pasur ndikim më pas në rezultatin e lojës. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse këto masa do të vihen në zbatim menjëherë apo ekipit do t’u jepet edhe një mundësi e fundit me Teutën këtë fundjavë në “Kukës Arena”. Sido që të shkojnë gjërat, në Kukës ka kohë që është humbur qetësia dhe skuadra nuk po del dot të nxjerrë në pah më të mirën e saj.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"